Kurti takohet me Berishajn, ambasadorin kosovar që po hetohet për shpërlarje parash

Derisa po qëndronte në Kroaci për të marrë pjesë në një konferencë që po mbahej në Dubrovnik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin ‘nën hetime’ të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në një fotografi që e ka shpërndarë vetë ambasadori Berishaj, Kurti është parë nën shoqërinë e tij dhe dy personave të tjerë në Dubrovnik.
Fotoja u shpërnda nga ambasadori Berishaj, si “Story”, sot kur kryeministri Kurti, në Dubrovnik të Kroacisë, po merrte pjesë në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektivë dhe Perspektivë”.
Ambasadori Martin Berishaj është aktualisht nën hetime nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për deklarim të rrejshëm të pasurisë. Agjencia Kundër Korrupsion kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Berishajt në gusht të 2022-ës, ndërsa hetimet kanë filluar në shtator, të po të njëjtit vit.
Berishaj po hetohet edhe nga Prokuroria Speciale për shpërlarje parash, në skandalin e madh të dyshuar financiar me GEN-in në Beograd.