Kusari: Kurti vendos vetë për formimin e Qeverisë, unë si Alternativë më mirë janë zgjedhjet e reja
Mimoza Kusari-Lila e Alternativës thotë se Albin Kurti i Vetëvendosjes ka filluar bisedimet për qeveri të re për të cilën afati kushtetues mbaron me 26 tetor – por, ajo, si subjekt më vete, kërkon zgjedhje të reja parlamentare.
Kusari-Lila tha se ende nuk ka diçka specifike – por, se Vetëvendosja ka vija të kuqe me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe.
“Gjatë javës kemi me filluar bisedat për formimin e Qeverisë, ka pasur bisedime fillestare por jo diçka specifike. Sa i përket bashkëpunimit me subjektet tjera politike, kemi qëndrimin se nuk bashkëpunojmë me dy parti në këtë rast, bëhet fjalë për PDK-në dhe Listën Serbe, ndërsa me të tjerët mbetet me shiquar a ka vullnet për bashkëpunim apo jo. Sa i përket ftesave, për LDK-në dhe të tjerët duhet të flasë dhe të vendosë vetë Kurti dhe LVV-ja si mandatar për formimin e Qeverisë”, thotë Kusari-Lila për Indeksonline.
“Unë mund të flasë në emër të Aleternativës, unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja sepse tashmë është bërë një periudhë e gjatë prej kohës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime të cilat kërkojnë ri konfirmim të besimit të qytetarëve por natyrisht për zgjedhje gjithmonë jemi gati”, vazhdon tutje Kusari-Lila.
“Procesi zgjedhor në tërsi ka shkuar shumë mirë, sa i përket Aleternativës ne kemi pasur sfidat tona për arsye se kemi pasur tash e gjashtë vite bashkëpunim me VV-në dhe çështje të subjektivitetit ka pasur paksa huti sidomos në Komunën e Gjakovës pasi që listat e ndara për kandidatë për Asamble shpeshherë herë kanë rezultuar me votë ku është votuar LVV-ja duke menduar Alternativën. Ndërsa sa i përket kandidatëve për kryetar besoj se kemi mundur të dalin pak më mirë por ka qenë vonë momenti i prezantimit të kandidatëve dhe përgatitjet për nivelin lokal duhet të fillojnë më herët bashkë me aktivitetin politik”, shprehet Kusari-Lila./Periskopi/



