Kush po e detyron Kurtin që t’i ndërrojë qëndrimet?

Kush po e detyron Kurtin që t’i ndërrojë qëndrimet?

Ekzistojnë shumë albinkurta. Një për naivët marksist-ortodoks të partisë së tij. Një për krahun neo-marksist. Një për progresivët e kosovaristët si unë. Një për burrat që ulen këmbëkryq nëpër oda. Një për gratë e për feministët. Një për varfanjakët. Një për pasanikët si Agim Bahtiri e Gazmend Gjonbalaj. Një për sindikalistët si Rrahman Jasharaj. Një për veteranët e luftës. Një për ambasadorët ndërkombëtarë. Por edhe albin-kurta të tjerë për grupe të tjera biznesi e vlerash.

Albin Kurti është politikan pragmatist që shtrihet në një varg qëndrimesh të ndryshme. Dhe duke qenë se nuk ngulmon në asnjërin qëndrim tamam, na lidhi të gjithëve me disa vargonj të padukshëm e të fortë – edhe pse jemi tepër të ndryshëm e në luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrit.

Secili prej nesh beson që Albin Kurti ynë është i vërtetë dhe se Albin Kurti i palës tjetër është i rremë. Ta zëmë, shpesh besoja që Albin Kurti progresist e feminist ishte i vërtetë, dhe se Albin Kurti i ulur këmbëkryq në oda burrash ishte i rremë. Kam besuar edhe se Albin Kurti si një dashamirës i klasës punëtore ishte i vërtetë, dhe se kur rrinte me pasanikë e milionerë ishte i rremë. Merreni me mend, kam besuar edhe që Albin Kurti e përdorte flamurin kuq-e-zi sa për të joshur masën, dhe se në të vërtetë ai e donte flamurin e Kosovës.

Por, Kurti nuk është i vetmi politikan kosovar ‘i klonuar’ dhjetëra herë për dhjetëra grupe të ndryshme ndër-luftuese.

Vitin e kaluar patëm rastin ta dëgjonim presidentin Hashim Thaçi derisa e ofendonte Hashim Thaçin që “negocionte për korrigjimin e kufijve”, pastaj derisa e ofendonte Hashim Thaçin për “bosnjëzim” të Kosovës përmes “Zajednicës” dhe derisa e ofendonte Hashim Thaçin që bëri presion që të votohej “Gjykata Speciale”.

Edhe Thaçin e kemi parë në Paradën e Krenarisë që promovonte të drejtat e komunitetit LGBTIQ-së, ndërsa në anën tjetër e pamë derisa përbente në 124 pleq e derisa ulej si Kurti nëpër oda burrash. Pra, ekzistojnë edhe shumë hashim-thaça njësoj siç ekzistojnë edhe shumë albin-kurta.

Çka na tregon një gjë e tillë?

Se Kosova nuk është tamam shtet, nuk është tamam sovrane dhe nuk është tamam e pavarur. Në rend të parë, politikanët tanë shpërbëhen si politikanë dhe mbesin thjesht si organizma të gjallë kur përballen me trysninë ndërkombëtare. Ndryshimet më të mëdha të qëndrimeve, Kurti i ka bërë sidomos në raport me Serbinë dhe me ndërkombëtarët. Ai tashmë është në kahun e kundërt politik me konceptin themeltar dhe emrin e partisë së tij, Vetëvendosjen.

Kosovës nuk i është njohur ‘de facto’ pavarësia nga shteti më aleat i saj, ShBA-të.

Amerika në baza të përditshme i jepte direktiva politike z.Thaçi e kryeministrave tjerë, dhe po i jep direktiva edhe Kurtit tash, bile edhe për çështje banale. Pikërisht Amerika na e solli Gjykatën Speciale. Na bëri presion të arrinim marrëveshje të dëmshme me Serbinë në Bruksel. Mos të harrojmë që edhe “Zajednica”, ashtu si çdo marrëveshje tjetër u shty përpara me arbitraritet nga ky shtet. Amerika po ashtu na e vendosi një presidente [Atifete Jahjaga] duke e shkelur në mënyrë vulgare demokracinë e vendit. Amerika ka ndërhyrë edhe në lojën e brendshme të partive tona politike, duke shpërfillur në shumë raste procedurat e demokracisë tonë, dhe duke i dhënë mbështetje të hapur një partie në dëm të një tjetre. Pra, përfaqësuesit amerikanë në Kosovë nuk ishin aspak konstruktivë. Ata na i shkelën politikanët tanë si bartës qëndrimesh të ndryshme politike, na e shpërfillën në shumë raste demokracinë dhe vullnetin e popullit, dhe i grahën fatit tonë në dialog me Serbinë pa kurrfarë plani e pa kurrfarë strategjie.

Amerika nuk e njeh Kosovën. Kjo na dëshmohet edhe në mos-pranimin e masës së reciprocitetit nga ambasadori Grenell.

Por, shpërndarja e politikanëve tanë në shumë qëndrime, shumë bindje, shumë vlera, është edhe tregues i mos-artikulueshmërisë e çrregullësisë ligjërimore të përfaqësimit politik nga këto grupe. Kjo i ekspozon të gjitha grupet në fjalë ndaj manipulimeve politike. E për politikanët, bëhet e detyrueshme që t’i kryejnë këto lloje manipulimesh. Pse? Sepse vlerat konsiderohen si mallra të konsumueshme [që shpërndahen në varësi të pozicionit të filaneve në skemën e prodhimit, që nënkupton se varësia lidhet me “prapambeturinë”] dhe elemente që pozicionojnë njerëzit në strukturën sociale [që nënkupton se njeriu i paprapambetur duke qenë i paprambetur gëzon mundësi më të mëdha për t’u ngritur në strukturën sociale]. Dhe sepse nuk ekziston një luftë e përnjëmendtë e e domosdoshme mes vlerave gjë që pamundëson fitoren e njërës apo humbjen e tjetrës. Të gjitha vlerat vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht dëshmisë për mos-konsistencën e tyre, gjë që na bën edhe neve qytetarëve që të mos ekzistojmë si të njësuar por si hipokritë. Shpesh mund të besojmë në dy gjëra të përkundërta njëherësh, ashtu si politikanët tanë.

Kjo na bën që ta çjerrim iluzionin se shoqëria kosovare është në të vërtetë “tepër e politizuar” siç mendohet. Qëndrimi para televizionit me emisionet e lajmeve e emisioneve politike që nuk ndalen apo edhe përcjellja e vazhdueshme e lajmeve në portale mund të jetë thjesht një argëtim i nevojshëm që përmbush zbrazëtinë e madhe nga argëtimet e tjera. Por, zor të thuhet që qytetari i rëndomtë i ka të mirë-përcaktuara ato që i beson e ato që i thotë. Ashtu si përfaqësuesi i tij politik. E kjo na bën masivisht shoqëri apolitike nën mungesën e plotë të ndarjeve përmbajtësore.

Shpërndaje në: