Ky është gabimi që shumë njerëz e bëjnë çdo mbrëmje pa e ditur
Edhe pse lehtësojnë frymëmarrjen, disa spreje dhe preparate kundër ftohjes aktivizojnë sistemin nervor, prishin fazat e gjumit dhe ngadalësojnë rikuperimin e organizmit
Edhe pse shumë njerëz i përdorin pothuajse automatikisht pikat ose sprejët nazalë sa herë që janë të ftohur dhe kanë hundë të bllokuar, këta preparate mund të kenë një efekt anësor të papritur: çrregullimin e gjumit. Në vend që ta ndihmojnë organizmin të pushojë dhe të rikuperohet, ata mund ta mbajnë trupin në gjendje “zgjimi”.
Gjatë sezonit të gripit dhe ftohjeve, gjumi i dobët është pothuajse i pashmangshëm. Hunda e zënë, kollitja dhe lodhja e përgjithshme e bëjnë të vështirë një gjumë të qetë. Për këtë arsye, shumë njerëz përdorin pika ose sprej për hundë pikërisht para se të shkojnë në shtrat, me shpresën se do të marrin frymë më lirshëm dhe do të flenë më mirë.
Megjithatë, shpesh ndodh e kundërta: frymëmarrja përmirësohet, por gjumi nuk vjen. Nata kalon me rrotullime në shtrat dhe zgjime të shpeshta, ndërsa mëngjesi vjen me ndjenjën se nuk jeni çlodhur fare, transmeton Telegrafi.
Pse ndodh kjo?
Shkaktarët kryesorë janë substancat aktive që gjenden në shumë sprejë dhe pika nazale, si fenilefrina dhe pseudoefedrina. Këta përbërës veprojnë duke ngushtuar enët e gjakut në mukozën e hundës, çka ul ënjtjen dhe lehtëson frymëmarrjen. Por veprimi i tyre nuk kufizohet vetëm në hundë.
Këto substanca aktivizojnë sistemin nervor simpatik, pjesën e sistemit nervor që përgatit trupin për stres dhe rrezik, e njohur si reagimi “lufto ose ik”. Si pasojë, organizmi nuk qetësohet para gjumit, por futet në gjendje vigjilence.
Kjo mund të shoqërohet me:
- rritje të rrahjeve të zemrës,
- rritje të presionit të gjakut,
- ndjesi tensioni të brendshëm,
- vështirësi për të fjetur dhe gjumë të cekët.
Edhe pse jeni fizikisht të lodhur, truri mbetet “i zgjuar”, duke prishur fazat e thella të gjumit që janë thelbësore për rikuperimin e trupit.
Jo vetëm sprejët nazalë
Fenilefrina dhe pseudoefedrina nuk gjenden vetëm në pika apo sprej për hundë, por edhe në shumë tableta dhe pluhura kundër ftohjes, gripit dhe alergjive. Kur këto preparate merren në orët e mbrëmjes, rreziku për pagjumësi rritet edhe më shumë, sepse efekti stimulues përkon me kohën kur trupi duhet natyrshëm të ngadalësohet.
Sipas studimeve të publikuara në revista mjekësore të specializuara për gjumin, çdo substancë që prish strukturën natyrale të gjumit mund të çojë jo vetëm në pagjumësi, por edhe në:
- tension muskulor,
- zgjime të shpeshta gjatë natës,
- ndjenjë lodhjeje kronike.
Efekt të ngjashëm mund të kenë edhe substanca të zakonshme si alkooli, si dhe disa antidepresivë dhe qetësues, të cilët në pamje të parë duken relaksues, por në realitet e ulin cilësinë e gjumit.
Çfarë mund të bëni?
Ekspertët rekomandojnë që:
- të lexoni me kujdes udhëzimet e barnave, veçanërisht pjesën për efektet anësore;
- nëse është e mundur, sprejët nazalë me efekt stimulues t’i përdorni gjatë ditës, jo para gjumit;
- për hundë të zëna në mbrëmje, të përdorni alternativa më të buta, si solucion fiziologjik, shpëlarje të hundës ose lagështues ajri në dhomën e gjumit.
Këto metoda ndihmojnë frymëmarrjen pa e aktivizuar sistemin nervor dhe pa e prishur gjumin, duke i dhënë trupit mundësinë të pushojë dhe të shërohet siç duhet. /Telegrafi/ Periskopi/




