Qeveria në detyrë e humb betejën, Supremja ia rrëzon nenet që obligojnë pensionistët për lajmërim

Qeveria në detyrë e humb betejën, Supremja ia rrëzon nenet që obligojnë pensionistët për lajmërim

Pensionistët nuk duhet të paraqiten çdo gjashtë muaj në autoritetet shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që t’u vazhdohet pensioni.

Vendimi është marrë nga Gjykata Supreme që ka shpallur të paligjshëm udhëzimin administrativ që përcaktonte rregullin.

Vendimi është marrë si bazë mbi padinë e E.Sh..

Në vendim theksohet se Ministria është e obliguar që të monitorojë nëse pensionisti është gjallë. Pra autoritetet janë përgjegjëse të parë e jo qytetari. Si rrjedhojë e vendimit, pensionistët nuk mund të penalizohen nëse nuk paraqiten.

“Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk janë në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm. Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit”, thuhet në njoftim të Supremes të mërkurën./Periskopi/

Shpërndaje në: