Lekaj për Ramush Haradinajn: Janë munduar ta njollosin këtë emër për fitore të shkurtra politike
Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar kreun e tij, Ramush Haradinaj si simbol i lirisë dhe historisë së Kosovës.
“Historia e këtij vendi nuk është e shkruar me letra, por me gjakun e dëshmorëve, me sakrificën e atyre që dhanë jetën për këtë tokë. UÇK-ja nuk është vetëm një kapitull i historisë sonë, ajo është vetë kujtesa e gjallë e popullit tonë, e freskët si dita e sotme. Çdo dëshmitar i asaj kohe, çdo bashkëluftëtar, e di të vërtetën dhe e gjykon me ndershmëri”, tha Lekaj, përcjell Periskopi.
Lekaj beson se figura e Haradinajt nuk është vlerësuar kurrë mjaftueshëm, teksa përmend edhe sulmet e bëra ndaj tij.
“25 vite me radhë, kuzhinat e pista politike dhe armiqtë e Kosovës janë munduar të njollosin figurën e Ramush Haradinajt. Ata kanë tentuar ta njollosin këtë emër për fitore të shkurtra politike, duke shkelur mbi kontributin më të madh që njeh historia jonë e re. Por një kombi figurat e tilla i vijnë rrallë. Ramushi ishte dhe mbeti aty, në kohën e duhur. Ne ndoshta nuk ia kemi vlerësuar kurrë mjaftueshëm, por miqtë më të mëdhenj të Kosovës po na e kujtojnë sot”, tha Lekaj.
Në fund ai shtoi se “ss UÇK-ja dhe asnjë ushtar i saj nuk mund të njolloset. Historia nuk fshihet. E vërteta nuk shuhet”.
Kujtojmë se sot ish-diplomati britanik, Johna Stewart Duncan, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, foli edhe për ish-eprorin i UÇK-së, Ramush Haradinaj.
“Ramushi ishte karakter i veçantë, ishte si në filmat e Rambos, mbaj mend që kishte një emblemë në krah, të binte në sy si personazh, fliste goxha, i dëgjohej zëri shpesh”, deklaroi Duncan.



