Lidhja e shkurt ZRRE -KEDS dhe nënshtrimi i Qeverisë Kurti ndaj kërkesave për ngritje të çmimit të rrymës

Lidhja e shkurt ZRRE -KEDS dhe nënshtrimi i Qeverisë Kurti ndaj kërkesave për ngritje të çmimit të rrymës

Premtimet e Albin Kurtit që kur të vinte në pushtet do t’ia tërhiqte licencën KEDS-it, i mori era. Përgjatë viteve të qeverisjes së Kurtit, çdo kërkesë e KEDS-it për ta ngritur çmimin e energjisë, i është aprovuar nga ZRRE. Për 4 vjet mandat, Qeveria Kurti po e ngrit çmimin e rrymës 3 herë. Por, si ndryshoj Albin Kurti për kaq kohë dhe u kthye në shërbyes të zellshëm të KEDS-it me krejt institucionet shtetërore, shkruan Periskopi.

Në vitin 2019, Albin Kurti bëri akuza ndaj Qeverisë së atëhershme, e veçanërisht për Hashim Thaçin se “çdo kërkesa të KEDS-it i përgjigjet dhe i bindet”.

“Pse i binden KEDS-it privat kaq shumë Qeveria dhe institucionet publike, sepse ata janë klientët e presidentit Thaçi sa herë që Limak Çaliku e ka një kërkesë për fitimin e tyre në kurriz të faturave tona të rrymës a e dini se kush lajmërohet për ta  Hashim Thaçi. A kryen ndonjë punë falas Hashim Thaçi? Asnjë. A po vjedh Hashim Thaçi? Gjithnjë”, deklaronte Albin Kurti në vitin 2019.

Si për ironi, krejt këto që Kurti i thoshte për Thaçin i bëri vet.

Me Qeverinë Kurti, energjia elektrike po shtrenjtohet për të tretën herë. Hera e fundit kur KEDS ka kërkuar ngritje të çmimit të rrymës është fillimi i këtij viti, e që sipas të gjitha deklarimeve publike të zyrtarëve të ZRRE-së kjo kërkese do t’i aprovohet kompanisë turke.

Në realitet Kurti iu bind çdo kërkese të KEDS e korporatës Çalik-Limak, nga dita kur drejtuesit e kësaj korporata i priti në zyrën e kryeministrit. Pronarët e KEDS-it Nihat Ozdemir e Ahmet Çalik, i lavdëroi Kurti, duke i hedhur në ujë të gjitha ato akuza që i kishte bërë ndaj tyre. Nga ideja e Kurtit se “paguajmë shumë shtrenjtë rrymën sepse flemë mbi qymyr”, te  “qytetarët nuk e dinë sa paguajnë energji se e kanë shumë lirë”.

Bordi i ZRRE-së dhe lidhja me KEDS

Zyra e Rregullatorit për Energji është organ i Kuvendit të Kosovës, që anëtarët e bordit votohen nga shumica parlamentare për ta mbikëqyrur punën e KEDS-it dhe për ta parandaluar çdo dëm eventual ndaj konsumatorëve.

Të gjitha kërkesat për ngritje të çmimit të energjisë elektrike ZRRE ia ka aprovuar KEDS-it, nga anëtarët e bordit që i ka votuar shumica parlamentare e Vetëvendosjes.

Anëtarët e bordit të ZRRE-së, nga një verifikim i Periskopit dalin të kenë shërbyer paraprakisht në KEDS-së dhe rrjedhimisht po i kryejnë favore ish-punëdhënësit të tyre.

Lutfije Dervishi rezulton se ka punuar në KEDS nga viti 2014 deri në vitin 2021, kur edhe është emëruar anëtare e bordit të ZRRE-së.

Dervishi nga viti 2014 deri në vitin 2019 ka mbajtur pozitën e menaxheres së master planit në KEDS. Ndërsa nga viti 2019 deri në vitin 2021 ka mbajtur pozitën e menaxheres së zbatimit të kontratave në KEDS, raporton Periskopi.

Në rrjetin social ‘Linkedin’, Dervishi në përshkrimin e karrierës tregon se si përvojën e saj në KEDS po e sjell edhe në ZRRE.

“Lutfije Dervishi, aktualisht është anëtare e Bordit në Zyrën e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës. Lutfije Dervishi sjell përvojë nga rolet e mëparshme në Kompaninë Kosovare të Distribuimit të Energjisë Elektrike – KEDS”, thuhet në përshkrim.

Edhe anëtarja tjetër e bordit të ZRRE-së, Arta Qorolli, rezulton që ka qenë pjesë e KEDS-it dikur. Ajo ka qenë inxhiniere në këtë korporat para se të bëhej pjesë e ZRRE-së.

Edhe Petrit Pepaj dikur shërbente në KEDS në pozitën e drejtorit të departamentit të kujdesit ndaj konsumatorëve, tash mban pozitë të rëndësishme në ZRRE. Pepaj është drejtor menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Premtimi për ulje të çmimit

Kryeministri  Albin Kurti, kishte premtuar ulje të çmimit të rrymës posa të vinte në Qeveri, mirëpo ZRRE ka propozuar ngritje të tarifave të energjisë për 15 për qind për të gjithë qytetarët e Kosovës nga data 1 prill e këtij viti. Kjo është hera e tretë që do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike brenda mandatit të Qeverisë Kurti.

Ngritja e çmimit të energjisë afekton direkt në shumicën e produkteve kryesisht ushqimor, që nënkupton edhe shtrenjtim i shportës së konsumatorit.

Produktin e parë qe e afekton energjia elektrike është buka, e më pas edhe shumë produkte të tjera, që mund të ketë efekt zinxhiror.

Në vitin 2022, çmimi i energjisë elektrike ishte ngritur për 100 për qind, ndërsa në vitin 2023, për 14 për qind. E fundit që do të aprovohet me shumë gjasa nga ZRRE është 15 për qind, në total për 4 vite, Qeveria Kurti i bie se do ta ngrit çmimin e rrymës në 129 për qind./Periskopi/

Shpërndaje në: