Liga e Futbollit i jep fund bojkotit, ja kur fillon kampionati në Superiore dhe Kupën e Shqipërisë

Liga e Futbollit i jep fund bojkotit, ja kur fillon kampionati në Superiore dhe Kupën e Shqipërisë

Liga Profesioniste e Futbollit ka zhvilluar mbledhjen e radhës, pasi dy ditë më parë morën edhe përgjigjen e deputetit Fidel Ylli, i cili në letrën e tij u bënte me dije presidentëve të klubeve të Superiores se kryeministri Edi Rama ishte dakord parimisht me 4 kërkesat e tyre.

Liga e Futbollit, pas një diskutime mes përfaqësuesve të 10 klubeve anëtare, si dhe përfaqësuesve të FSHF, Armand Duka dhe Marjus Sulejmani, vendosi që Kategoria Superiore të nisë të mërkurën. Presidenti Armand Duka, pas takimit deklaroi se Kupa nis të dielën.

“Të gjithë kemi një qëllim, të zhvillohen aktivitetet. Sa i takon stadiumeve, kemi pasur vështirësi edhe herë të tjera. Kjo ishte arsyeja pse u la të luhej kupa të dielën. Kështu fushat bëhen gati për të mërkurën.

Nuk kemi akord me asnjë, as kontratë. Kërkojmë të marrin për4gjegjësite e veta për ato që paguhen. Ne nuk kërkojmë gjëra alogjike”, tha mes të tjerash presidenti i FSHF, Armand Duka.

Kampionati ishte programuar të niste që me 12 shtator, por katër kërkesat e Ligës nuk u morën parasysh fillimisht dhe nuk munguan edhe replikat në distancë, derisa palët u ulën më pas në tavolinë.

NGËRÇI – Ligji i Sponsorizimit ishte pika ku Liga e Futbollit dhe Ministria e Financave kishin ngecur. Komuniteti i futbollit ishte kundër ligjit ekzistues, për të cilin ministria këmbëngulte se ishte i duhuri dhe se prodhon për sportin rreth 30 milion euro.

Nga ana e Ligës dhe e FSHF u këmbëngul për një tjetër version të Ligjit të Sponsorizimit, që u krijon mundësinë bizneseve që 30% të tatimit të fitimit të mund ta investojnë në sport, sigurisht me rregulla të qarta se për çfarë mund të shpenzohen ato para.

Shpërndaje në: