Liqeni i Shkodrës drejt UNESCO-s, nominohet si rezervë ndërkufitare e biosferës
Me një artikull që nis me një përshkrim pikant nga i mirënjohuri Lec Shllaku të liqenit të Shkodrës, delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri i kushtoi këtë të shtunë një vëmendje të veçantë këtij liqeni.
Kjo pas përfundimit dhe dorëzimit të dosjes për nominimin e pellgut ujëmbledhës të liqenit më të vjetër në Ballkan si pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO me statusin “Rezervë Biosfere Ndërkufitare”.
Dosja në fjalë, e cila tashmë i është dorëzuar UNESCO-s, u realizua në kuadër të një projekti të financuar nga BE që vlerëson trashëgiminë e pasur të zonës, e cila reflektohet në peizazhin arkeologjik dhe kulturor rreth liqenit dhe vendodhjen strategjike të rajonit që pati shërbyer si një udhëkryq për kultura dhe civilizime të ndryshme, përfshi ato romane, bizantine dhe osmane, raporton RTSH, transmeton Periskopi.
Për Aurora Dibrën, një nga anëtaret e grupit të punës që u mor me dosjen, marrja e statusit “Rezervë Biosfere Ndërkufitare” do të kontribuojë në uljen e ndikimit të njeriut dhe atij të ndryshimeve klimatike në rajon. Zhvillimi i qëndrueshëm dhe përdorimi i qëndrueshëm i tokës në zonën e liqenit të Shkodrës janë mënyrat më efektive për të parandaluar dëmin mjedisor dhe humbjen e biodiversitetit.
Nevojitet gjithashtu zbatim i ligjit kundër ndërtimeve të jashtëligjshme, vijoi Dibra për autorët e artikullit të publikuar në faqen e delegacionit të Bashkimit Europian.
Me marrjen e statusit “Rezervë Biosfere Ndërkufitare”, liqeni i Shkodrës do t’i bashkohet zonave më të rëndësishme mjedisore në botë. Me shpalljen e liqenit si “Rezervë Biosfere Ndërkombëtare”, Shqipëria angazhohet për fuqizimin e komuniteteve lokale, avancimin e qeverisjes mjedisore dhe pozicionimin e pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës si një model harmonie mes njeriut dhe natyrës./Periskopi



