Lirohet nga paraburgimi anëtari i Nismës që e kërcënoi Albin Kurtin

Periskopi.com Lajme

Rasim Hoti, avokati i Haxhi Hotit, i akuzuar për kërcënimin që ia bëri muajin e kaluar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se klientit të tij i është ndërprerë masa e paraburgimit.

Në një postim në Facebook, Rasimi, që është edhe vëlla i Haxhiut, ka thënë se ky vendim është i drejtë.

“I drejtë dhe i bazuar në ligj vendimi i datës 23.01.2020, me të cilin i është ndërprerë masa e paraburgimit të mbrojturit tim Haxhi Hoti”, shkroi Rasim Hoti në Facebook.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është paraqitur sot në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me kërcënimin që iu bë ditë më parë nga anëtari i Nismës për Kosovës, Haxhi Hoti.

Kjo u bë e ditur anëtari i VV-së, Berat Ganiqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sot, së bashku me kryetarin e Lëvizjes, Albin Kurti, ishim në Prokurorinë Themelore me ftesë të kësaj të fundit. Albin Kurti është ftuar për intervistim në lidhje me kërcënimin që i është bërë në rrjetet sociale nga Haxhi Hoti, anëtar i subjektit Nisma për Kosovën në fund të dhjetorit 2019”, ka shkruar Ganiqi.

Kujtojmë se më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Haxhi Hoti, përmes një postimi në Facebook, kishte bërë një krahasim mes presidentit të vrarë amerikan, John Kennedy dhe Albin Kurtit, duke thënë se ndonëse populli e deshi të parin për udhëheqës të shtetit, nuk ishte në interesin e shtetit që ai të ishte president, kurse për Kurtin ka thënë se populli “ndoshta” e do, “por nuk është interes i shtetit që ky të jetë kryeministër”.

“John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër”, tha ai.

Liderit të Vetëvendosjes, Hoti i la dy rrugë: “Albin Kurti i ka 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet”.

Pasi ky postim u mediatizua, Hoti e kishte fshirë atë dhe kishte kërkuar falje publike.

Të nesërmen, policia e kishte arrestuar Hotin.

 

Shpërndaje në: