Lirohet Thaçi, frika mbetet

Lirohet Thaçi, frika mbetet

Ai ishte arrestuar më 29 shtator, nën akuzat për “Terrorizëm”, të ngritur shumë vite më parë nga “drejtësia” serbe. I pari lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ai në një prononcim për gazetën “Zëri” ka konfirmuar lirimin e tij duke thënë se Thaçi shumë shpejt do të kthehet në Kosovë.

“Sapo më është konfirmuar zyrtarisht lirimi i nënkolonel Thaçit. Ai shumë shpejt do t’i bashkohet familjes në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.

Nënkoloneli i Policisë kosovare shumë shpejt pritet t’u dorëzohet autoriteteve vendore pranë zyrës ndërlidhëse në Beograd e më pas të niset për në Kosovë.

Lirimin e Nehat Thaçit analistët e shohin si lajm të mirë, por që diplomacia kosovare mbetet të punojë më shumë rreth rasteve të tjera. Ata gjithashtu konsiderojnë se marrëdhëniet Kosovë – Serbi janë ende të tensionuara pasi që ka edhe arrestime të tjera.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se Kosova në muajt e fundit u karakterizua me probleme që u sollën nga Serbia ndaj arrestimeve të zyrtarëve policorë të Kosovës.

Islami thotë se këto arrestime janë totalisht politike. Ai më tej thotë se reciprociteti nga ana e Kosovës do të duhet të zbatohej nga pala kosovare.

“Muajt që i lamë pas po karakterizohen me marrëdhënie jostabile mes Serbisë dhe Kosovës qëkur janë nisur bisedimet me këtë shtet. Ai (Thaçi) u arrestua për hakmarrje politike. Lirimi i tij është një lajm i mirë, por që duhet ende punë për të bërë sepse nuk guxohet të ndodhin më arrestime të tilla. Kosova duhet të fillojë me një reciprocitet të njëjtë, pse jo”, thotë Islami.

Shpërndaje në: