Lituania në gjendje të jashtëzakonshme

Lituania në gjendje të jashtëzakonshme

Lituania shpalli zyrtarisht këtë të martë, më 9 dhjetor, gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë publike nga balonat kontrabandë që vijnë nga Bjellorusia.

Lituania akuzon Bjellorusinë se lejon kontrabandistët të përdorin balona meteorologjike për të transportuar cigare kontrabandë përtej kufirit, duke detyruar shpesh aeroportin e Vilniusit të ndalojë operacionet dhe duke ndërprerë trafikun ajror.

“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve në aviacionin civil, por edhe për interesat e sigurisë kombëtare,” tha ministri i Brendshëm Vladislav Kondratovic në një mbledhje qeveritare të transmetuar drejtpërdrejt, citon Reuters.

Ky vendim i jep ushtrisë liri më të madhe operacionale, duke e lejuar të veprojë në bashkëpunim me policinë ose në mënyrë të pavarur, shtoi Kondratovic, pa dhënë detaje të tjera. Kohëzgjatja e masave të jashtëzakonshme nuk dihet ende.

Bjellorusia, e cila lejoi territorin e saj të përdorej për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, ka mohuar përgjegjësinë për balonat dhe ka akuzuar Lituaninë për provokime, përfshirë dërgimin e një droni që supozohet se hodhi “material ekstremist”.

Lituania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e cila dikur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, i ka hedhur poshtë këto akuza si të pavërteta.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 1 dhjetor tha se situata në kufi po “përkeqësohej” dhe e quajti hyrjen e balonave një “sulm hibrid” nga Bjellorusia që ishte “plotësisht i papranueshëm”.

Në vitin 2021, Lituania vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin kufitar me Bjellorusinë për shkak të asaj që e cilësoi si migrim të paligjshëm në shtetin baltik, duke kufizuar hyrjen në zonë për jo-banorët.

Vit pas viti, Vilniusi shpall gjendjen e jashtëzakonshme pas pushtimit rus të Ukrainës, nga frika se Lituania mund të bëhej gjithashtu një objektiv, duke vendosur kufizime në lirinë e shprehjes për të frenuar atë që e cilëson si propagandë të mundshme ruse./Periskopi/

Shpërndaje në: