Liverpooli kërkon falje dhe tërheq vendimin për pushim të përkohshëm të punëtorëve

Periskopi.com Sporti

Liverpooli ka tërhequr vendimin për të pushuar përkohësisht një pjesë të punëtorëve dhe u ka kërkuar falje tifozëve.

Të shtunën klubi i madh i futbollit njoftoi se do të aplikojë për skemën qeveritare për mbajtje të punës, që mundësohet nga taksapaguesit. Ai vendim shkaktoi reagime të shumta.

Të hënën shefi ekzekutiv i klubit, Peter Moore ka shkruar një letër për tifozët në të cilën shkruan: “Ne besojmë se kemi ardhur te një përfundim i gabuar javën e kaluar. Dhe vërtetë kërkojmë falje për këtë”.

Ai ka thënë se si rezultat “i konsultimeve të gjera dhe diskutimeve të brendshme, është vendosur për të gjetur mënyrë alternative”.

Liverpooli u bë klubi i pestë i Premier Leagues që pushoi përkohësisht një pjesë të punëtorëve. Liverpooli kishte njoftuar se 80 për qind të pagës së rreth 200 punëtorëve të pushuar do ta mbulonte fondi qeveritar dhe 20 për qind klubi. Por vendimi hasi në kritika të shumta dhe Liverpooli ka tërhequr atë.

Ndërkohë Manchester Unitedi ka vendosur mos të dërgojë në pushim të përkohshëm punëtorët e klubit, është bërë e ditur të hënën.

Shpërndaje në: