Lutfi Haziri: Qeveria Amerikane ka humbë durimin përballë sjelljes së Kurtit, deklaratat e tij manipulative
Nënkryetari dhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur pas asaj që kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se nuk ka prishje të raporteve me SHBA-të, por vetëm mos pajtime e dallime.
Haziri thotë se deklaratat e Kurtit, janë manipulative.
“Nuk janë dallime, por janë kushtëzime. Qeveria e Kosovës me Qeverinë Amerikane nuk flet për dallime, është manipulative, por Qeveria e Kosovës ka kushtëzime me vetë faktin që dialogu strategjik është suspenduar”, thotë Haziri për Front Online, transmeton Periskopi.
Sipas tij, marrëdhënia e kushtëzuar e SHBA-së me Qeverinë Kurti, nuk është akt, por vazhdimësi.
‘’Tani kjo marrëdhënie e kushtëzuar qe dy vite e gjysmë është shkaktuar, nuk është akt, por është vazhdimësi’’ tha Haziri për FrontOnline.
Ai shton se Qeveria Amerikane ka humbur durimin karshi sjelljes së Kurtit dhe disa zyrtarëve të VV-së.
‘’Kurti dhe disa në VV kanë arritur në atë pikë që Qeveria amerikane me e humbë durimin karshi kësaj sjellje’’, tha Haziri për Front Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka folur për herë të parë për vendimin e SHBA-së për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik në mbledhjen e qeverisë sot para ministrave të tij.
Kurti akuzoi “opozitarët” se po e stërmadhojnë këtë zhvillim negativisht, ndërsa tha se është pezulluar planifikimi për dialogun.
“Duam të qartësojmë për qytetarët tonë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”.
“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë sonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj vendimet e fundit. I siguroj qytetarët qe qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”.
Kurti pretendoi se marrëdhëniet e qeverisë së tij me qeverinë amerikane janë të mira, por se dallimi konsiston te disa “çështje operacionale dhe taktike”.



