LVV: Për një vit e gjysmë qeverisje gjendja në veri ka ndryshuar, të tjerët e shfrytëzuan për përfitime

LVV: Për një vit e gjysmë qeverisje gjendja në veri ka ndryshuar, të tjerët e shfrytëzuan për përfitime

Lëvizja Vetëvendosje thotë se për një vit e gjysmë qeverisje e ka ndryshuar gjendjen në veri të Kosovës.

Përmes një video të publikuar në faqen e tyre në rrjetin social Facebook, VV-ja ka akuzuar ish-pushtetarët se e kanë shfrytëzuar këtë territor për të siguruar të ardhura për vete e për t’ia mundësuar Serbisë kolonizimin.

“Po integrohet veriu na thoshin politkanët tanë që kishin filluar të investojnë në kriptovaluta, ndërkohë që Serbia po vazhdonte kolonizimin duke ndërtuar lagje të tëra si Lugina e Diellit. Po integrohet veriu na thoshin, gjersa ne ua paguanim qindra miliona euro energji elektrike që ata të hapin rrugë të reja të kontrabandës e t’i shtojnë pajisjet për kriptovaluta. 20 vjet zgjati kjo gjendje. Sa herë thuhej integrim bëhej ndonjë ndarje e mëtejmë. Dikur madje thanë se veriu nuk vyen gjë, duhet ta japim se është dhuratë e Rankoviqit. Ky është pra veriu që na e kanë lënë PDK, LDK, AAK: territor që atyre ju sjell të ardhura e Serbisë mundësi të reja kolonizimi”, thuhet në video.

Vetëvendosje tha se për një vit e gjysmë qeverisje në veri gjendja ka filluar të ndryshojë drastikisht.

“Me vetëm një vit e gjysmë qeverisje të kryeministrit Kurti, referendumi i Serbisë nuk u lejua të mbahej. Zgjedhjet e Serbisë, që për 20 vjet u mbajtën pa pengesë, nuk u lejuan. Energjia elektrike që për 20 vjet nuk u pagua, tash e tutje do të paguhet. Aty ku më parë policia shkonte vetëm me helikopter, u ndërtuan tri stacione të reja policore. Mallrat e padoganuara u konfiskuan. Rrugët e kontrabandës u mbyllën. Qendrat e kriptovalutave u mbyllën. Laboratorët e prodhimit të drogave u mbyllën. U vendos rend dhe ligj si në asnjë pjesë tjetër të Republikës së Kosovës”, thuhet në video.

Sipas tyre, e gjithë kjo ka qenë përherë e mundshme, por nuk është bërë asnjëherë.

“Qysh po ndrron gjendja në veri?Shumëçka ka qenë përherë e mundshme por nuk është bërë asnjëherë.Kjo për shkak se gjithmonë kur është folur për Mitrovicën gjithnjë është folur për ndarjen ose ‘Zajednicën’. Dhe për shkak se bashkëpunëtorët e Listës Serbe dhe Radojiqiqit bashkë me Serbinë kanë përfituar nga mungesa e sundimit të ligjit në atë pjesë. Tashmë, ndryshimi i gjendjes në veri është i qartë”, thuhet në postimin e tyre.

Shpërndaje në: