‘LyDykyhi dhe Pydykyhi’, ‘Çfarë hajvanash’: Kurti harron ofendimet e rënda ndaj opozitës – ia nis me ftesa për takime
Kreu i Lëvizjes Vetëvendjosje, Albin Kurti, i ka dërguar letër kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku për takim. E gjitha kjo, pasi kanë mbetur edhe pak ditë para mbledhjes së parë të Kuvendit që pritet të mbahet më 15 prill, raporton Periskopi.
“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet ndër tjerash në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.
Pas certifikimit të zgjedhjeve, lëvizjet e partive kanë nisur. Megjithatë, ende nuk dihet se kush i ka numrat për formimin e Qeverisë.
Pavarësisht se Kurti dhe eksponentë të lartë tjerë të VV’së kanë deklaruar se partia e tyre do ta formojë Qeverinë e vetme me pakicat joserbe – lëvizjet e fundit të të parit të partisë thonë ndryshe.
Fillimisht, Kurti javën që lamë pas është takuar me kryetarin e NISMA’s – Fatmir Limaj – parti që ka më vete tre mandate, por që kërkesat i ka të konsiderueshme.
Nga burime të sigurta, Periskopi të shtunën raportoi se Limaj në këtë takim me Kurtin, ka kërkuar Kryetarin e Kuvendit, tre ministri dhe tre zëvendës ministra.
Çka dihet deri më tani?
Për të ardhur deri tek ndërtimi i Qeverisë së re, duhet 61 deputetë për shumicë parlamentare.
Ndërsa, Kurti i ka vetëm 48 sosh. As bashkëpunimi me pakicat jo serbe nuk mund të nxjerr numrin që kërkohet. Nga kjo parti s’kanë bërë me dije se ku do t’i marrin deputetët e tjerë.
PDK-LDK dhe AAK kundër koalicionit me VV-në
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza e kishte bërë të qartë se nuk do të ketë koalicion me VV-në.
Ai kishte thënë se si PDK s’kanë asnjë komunikim me LVV-në dhe se personalisht ka thënë se preferon një koalicion me LDK-në dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvend.
“ Me LVV-në nuk kemi deri në këtë moment asnjë komunikim zyrtar. S’kemi pranu ftesë, nuk kemi bo ftesë, sepse ftesa e radha dihet qysh shkon. Mirëpo realisht për shkak të programeve, për shkak të proceseve, për mu është e prefersueshme krijimi i një qeverie me LDK-në dhe partitë e tjera që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës”, ka potencuar Hamza.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri thotë se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, nëse kjo e fundit si parti fituese e zgjedhjeve nuk arrin të formojë ekzekutivin dhe radha kalon te partitë e tjera, atëherë janë të hapur për të parë mundësinë e formimit të qeverisë.
“Roli jonë është ‘as-as’, duhet lexuar drejt. Nuk është i kushtëzuar dhe që nuk ekziston komunikim. I vetmi mungesë komunikimi që LDK-ja tani e ka është me LVV-në. S’ka as bashkëpunim partiak dhe bashkëpunimi institucional në Kuvend është bërë njëanshëm nga LDK-ja. Sa është lexuar bashkëpunim ai është diçka tjetër, por ne kemi vepruar për qëllime politike më të mëdha. Tash jemi në pozicionin e njëjtë. “Jo”-në tonë karshi bashkëpunimit me LVV-në në formim të ekzekutivit e kemi bërë të qartë. Në anën tjetër, raporti me partitë e dytë dhe partitë tjera që janë në Kuvend, AAK-Nisma dhe pakicat etnike ne kemi bashkëpunim dhe komunikim për aq sa kohë nevojë ky proces zgjedhor. Mirëpo, në shpinë me bartë dikë më jo”, kishte thënë Haziri.
Edhe, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se nuk do të ketë koalicion me VV-në.
Ai madje kishte thënë se askush nga opozita nuk do të bashkëpunoje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne jemi përcaktuar si Aleancë për koalicion të opozitës, qeveri të opozitës, nuk besoj se dikush nga opozita do të bashkëpunojë me pozitën. Po ashtu edhe NISMA është e përcaktuar për koalicion të opozitës. Nuk besoj [se do e formojë Kurti Qeverinë], nuk i kanë numrat po vonohen ashtu. Nuk mund të bëjnë, sepse nuk i kanë numrat, kanë dhjetë deputetë më pak se herën tjetër”, kishte thënë Haradinaj.
Kurti i quajti ‘hajvana’ opozitën pak orë pas rezultateve preliminare
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një tubim në shesh të Prishtinës tha se rezultatet preliminare e nxjerrin fituese partinë e tij.
“Këto rezultate preliminare tregojnë një gjë të vërtetë, të qartë të saktë: kjo është që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Bravo! Urime!”.
Ai në ndërkohë ka fyer rëndë partitë opozitare duke u quajtur “hajvana”.
Madje ai ka akuzuar edhe mediat.
“Klan Serbia, Lëdëkyhi e Pëdëkyhi”, ka thënë ai ndër të tjera.
“Procesi zgjedhor ka qenë ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, demokratik që s’ka pasë incidente. Edhe policinë edhe mekanizmat shtetërorë. Kështu ndodh pikërisht kur qeveria jonë është. Kur ekzekutivi jemi ne, nuk ka incidente dhe procesi demokratik është cilësor, i vërtetë, i lirë i ndershëm”.
“Ajo që dihet nga rezultate preliminare është që edhe m’i bë bashkë pdk-hyn dhe LDK-hyn nuk bëjnë sa Vetëvendosja jonë”.



