Majlinda, Distria dhe Nora nderohen nga ‘Al Trade’ në 22-vjetorin e themelimit të kompanisë

Majlinda, Distria dhe Nora nderohen nga ‘Al Trade’ në 22-vjetorin e themelimit të kompanisë

Në 22-vjetorin e themelimit, kompania “Al Trade” nderoi me “Çmimin e Artë” tri kampionet olimpike të Kosovës, çmim ky të cilin e ndan tradicionalisht për personat që kanë kontribuar për shoqërinë në fusha të ndryshme.

Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova u vlerësuan si heroina të Kosovës, që i sollën vendit tri medalje të arta olimpike dhe që po e promovojnë më së miri shtetin e Kosovës.

Pronari i kompanisë “Al Trade”, Sokol Gashani, u shpreh i lumtur që në 22-vjetorin e themelimit i nderojnë tri kampionet olimpike, të cilat i quajti edhe heroina.

“Këto na kanë bërë të krenohemi dhe mund të them që i kanë nderuar edhe të gjallët edhe ata që e kanë dhënë jetën, me sukseset e tyre që çdo ditë e më shumë po njihet Kosova falë angazhimit dhe kontributit të tyre me shpirt e me zemër. Nuk di ta përshkruaj sa na kanë nderuar prezenca e këtyre që na kanë ardhur në konakun tonë. Ne do ta shënojmë këtë ditë ndoshta 10 herë më shumë sesa 22-vjetorin tonë për hir të prezencës që i kemi këto heroina në mesin tonë”, tha ai.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, tha se ndjehet i lumtur që po vlerësohet suksesi i kampioneve olimpike, teksa tha se Kosova ka një rini të mrekullueshme që vetëm ka nevojë të mbështetet për të korrur suksese.

“Lotët që ne i derdhim pas triumfeve në gara të ndryshme janë lot që simbolizojnë diçka tjetër, nuk janë lot vetëm të fitores në garë, triumfit ndaj sportistëve të tjera, të arriturave më të mëdha të nivelit botëror e olimpik. Por, janë lot që simbolizojnë diçka tjetër që sa shumë e kemi merituar lirinë si popull, sa shumë njerëz kanë derdhur gjak për këtë vend, e tash ka ardhur koha që gjeneratat e reja ta gëzojnë lirinë dhe t’i tregojnë mbarë botës për vlerat tona. E kemi një rini të mrekullueshme që në qoftë se gjendet një trajner, një afarist i suksesshëm që e çon rininë tonë në drejtim të duhur atëherë po mendoj që populli shqiptar është populli më i mirë në botë. Kështu që, faleminderit shumë për pritjen, shpresoj që të vazhdoni me suksese ju dhe këto garueset tona”, tha ai.

Falënderuese ndaj kompanisë “Al Trade” për çmimin e ndarë u shpreh edhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, e cila tha se beson që do të kenë një bashkëpunim shumë të mirë me këtë kompani.

“Është kënaqësi për mua me qenë sot këtu në 22-vjetorin e kompanisë ‘Al Trade’, një ndër kompanitë më të suksesshme në Kosovë në ndërtimtari. Unë po shpresoj shumë që bashkëpunimi ynë veç ka filluar, kemi me pas një bashkëpunim shumë të mirë me kompaninë ‘Al Trade’. Ndoshta ne jemi kampion në fushën tonë, ‘Al Trade’ është kampion në ndërtimtari, kështu që po besoj që kemi me pas bashkëpunim shumë të mirë”, tha ajo.

Edhe kampionia olimpike Distria Krasniqi, u shpreh e lumtur për vlerësimin që i është bërë nga kompania “Al Trade” për të cilin tha se është një çmim tejet i veçantë për të.

“Faleminderit shumë për këtë çmim, është një çmim shumë i veçantë për mua dhe ju uroj për 22-vjetorin e kompanisë dhe shpresoj që bashkëpunimi ynë të fillojë këtu dhe të vazhdojë, që së bashku të kemi suksese ne në sport dhe ju në kompaninë tuaj të ndërtimit”, tha ajo.

Kompania “Al Trade” u themelua në vitin 1999, nga vëllezërit e familjes Gashani nga Drenasi. Aktualisht është njëra prej kompanive udhëheqëse të ndërtimit dhe tregtisë me materiale ndërtimore, e njohur për shërbimet e saja profesionale me cilësi të lartë.

Shpërndaje në: