Maliqi: S’ka shpjegim bindës që e arsyeton rritjen kaq të madhe të importit të rrymës – ku po shkojnë qindra miliona euro?
Analisti politik Agon Maliqi ka publikuar një sërë faktesh që, sipas tij, ngrenë dyshime serioze për mënyrën si po menaxhohet importi i energjisë në Kosovë gjatë viteve të fundit. Sipas tij, s’ka shpjegim bindës që e arsyeton rritjen kaq të madhe të importit të rrymës.
Maliqi kërkon transparencë për shumat marramendëse dhe lidhjet problematike që lidhen me procesin.
Mes tjerash, Maliqi tha se faktet janë para publikut, por përgjigjet ende mungojnë.
Postimi i plotë:
Disa prej fakteve që kanë dalur në dritë deri më sot rreth importit të energjisë janë këto. Interpretimet bëjini vetë.
1) Mbi 800 milionë euro ka qenë importi i energjisë në 5 vitet e fundit, ndërkohë që në 12 vitet paraprake bashkë ka qenë rreth 650 milionë euro. Një shpjegim bindës që e arsyeton këtë rritje kaq të madhe në pesë vitet e fundit mungon.
2) Një ambasador me krahë të fortë në majat e pushtetit mori shtetësi të Kosovës me procedurë të përshpejtuar. Ai ka pranuar publikisht se para marrjes së kësaj detyre diplomatike ka punuar për tregtarë rajonalë të energjisë si këshilltar. Nga mediat është raportuar, në bazë të hetimeve nga inteligjenca financiare, se ky ambasador ndër vite i ka tërhequr rreth 1,5 milionë EUR cash nga xhirollogaritë e kompanive të tij. Nuk kam dëgjuar që këto detaje të hetimit të jenë mohuar. Qeveria asnjëherë nuk i ka kërkuar ambasadorit llogari për këto raportime por i ka dalë në mbrojtje.
3) Një ndërmarrje nga Shqipëria regjistrohet në Kosovë në vitin 2021 dhe nga hiçi papritmas krijon monopol efektiv në importin e energjisë si dhe qindra miliona euro qarkullim, duke hyrë në top 10 të kompanive me qarkullim. Mediat në Kosovë dokumentojnë lidhje familjare në mes të kësaj firme dhe përfaqësuesve të një firme tjetër në Shqipëri, e cila është tregtuesi më i madh rajonal i energjisë, e të cilën vetë kryeministri në detyrë dikur e quante pjesë të mafias serbe të energjisë.
4) Në vend të sqarimit të këtyre fakteve dhe të tjerave (si psh ato mbi kostot e pashpjegueshme milionëshe për bartje të energjisë në kufi) që flasin për abuzime monopoliste të tregtarëve të energjisë në kurriz të xhepave tanë, qeveria në detyrë u ndërsehet mediave dhe kritikëve që po e trajtojnë këtë temë me interes publik, dhe e cila zgjon shumë dyshime për atë se ku po shkojnë qindra miliona euro./Periskopi



