Manipuluesit e votave i pret burgu?

Manipuluesit e votave i pret burgu?

Manipulimi me mijëra vota të kandidatëve për deputetë brenda subjekteve politike duket se do të bartë pasoja të rënda për kryerësit e këtij veprimi.  Prokuroria e shteti e cila ditë më parë u aktivizua në të gjitha komunat nuk bëri të ditur se deri ku kanë mbërri hetimet deri më tani e as nëse është intervistuar ndonjë person për këtë çështje. Detaje nuk dha as prokuroria themelore në Prizren në komunën e parë ku nisen hetimet për manipulim të votave.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se çështja ndodhet në fazë të hershme të hetimeve. Për shkak të natyrës konfidenciale të procedurës, Prokuroria Themelore në Prizren nuk mund të japë detaje apo komente në këtë fazë. Çdo informacion do të bëhet publik në përputhje me legjislacionin në fuqi, kur kjo të jetë e mundur”, thuhet nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Por ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, thotë se komisionerët në qendra të numërimit si dhe kandidatët për deputetë mund të dënohen deri në 5 vjet burgim në rast se vërtetohet se janë përfshirë në procesin e manipulimit të votave.

Sa i përket kandidatëve për deputet përveç dënimit, sipas Hasanit mund t’u hiqet edhe e drejta për të qenë deputetë deri në 4 vjet.

“Në momentin që argumentohet abuzimi ligji duhet të veprojë më tërë ashpërsinë e tij sepse ka dëmtuar rëndë procesin dhe na ka dëmtuar si shtet dhe jam i bindur që institucionet, gjykata duhet të reflektojë në kuptim që të jenë të pamëshirshëm në shqiptimin e dënimeve. Ligji është i qartë, ligji detyron ligj zbatuesin që këtyre abuzuesve duhet tua heq të drejtën për të qenë deputet në periudhën 1-4 vjet. Maksimumi i dënimeve është deri në 5 vjet burg…Kur e shikon numrin masivitetin e shtimit të votave të disa kandidatëve vështirë është për të besu se nuk kanë qenë në dijeni por kjo duhet të provohet me procedurë. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që ndonjëri nga ta ka bashkëpunuar me një ose disa anëtarë në qendër të numërimit me qellim që t’i shtohen votat” tha Fejzullahu për RTV21

Mospërputhjet serioze në votat e kandidatëve për deputetë  detyruan  Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë të të gjitha votave të kandidatëve për deputetë. Rinumërimi zbuloi dhjetëra, qindra madje edhe mijëra vota të cilat iu shtuan e iu hoqën kandidatëve për deputetë brenda partive politike.  Avokati, Ardian Bajraktari thotë se tjetërsimi i vullnetit qytetarë, nuk duhet lejuar në asnjë formë

“Në kuadër  te kodit penal është një kapitull i veprave penale që lidhen më të drejtën e votës  dhe kemi të bëjmë me elemente të veprave penale me theks të veçantë ato që lidhen  me falsifikim te rezultatit zgjedhor e kur kjo vepër kryhet nga persona që kanë autorizime publike atëherë shkalla e ndëshkueshme risë është me burgim deri 5 vite. Prokuroria në këtë fazë dhe gjykata në fazën pasuese duhet me qenë e pa kompromis ne drejtim te adresimit te kësaj çështje se  kemi tjetërsim te vullnetit te qytetarëve dhe nuk duhet toleruar ne asnjë variant”, tha Bajraktari.

Rinumërimi i votave në të gjitha komunat sipas Komisionit Qendror të zgjedhjeve do të zgjasë deri në dy javë derisa deri më tani procesi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna./Periskopi

Shpërndaje në: