Mashkulloriteti toksik mund të jetë heroik, dhe këto janë gratë që e dëshmojnë

Mashkulloriteti toksik mund të jetë heroik, dhe këto janë gratë që e dëshmojnë

Kur mundohem që t’ju shpjegoj studentëve çka nënkuptojnë “asociacionet e lira” në trajtimin psikoanalitik, rregullisht i referohem thënies së famshme: “Mos e gjuaj edhe beben bashkë me ujët e fëlliqt të tij!”

Kur një psikanalist i kërkon pacientit që “të asociojë çlirshëm”, psh të pezullojë kontrollin e ego-s dhe të thotë çka do që i vjen ndërmend, a nuk e kërkon ai psikanalist thuaj krejt të kundërtën?

Pacienti duhet ta gjuajë beben [egon] dhe të mbajë vetëm ujin e banjës së asociacioneve të lira. Ideja është, natyrisht, që ky “ujë i fëlliqt” do të sjellë të vërtetat e fshehura të vetë ego-s së shëndetshme. Mos harroni që fëlliqësirat në ujë vijnë nga bebja dhe jo nga jashtë!

A nuk vlen e njëjta edhe për shumë ekologjistë të rremë? Ata janë të obsesionuar me banesat “e qëndrueshme” e të shëndetshme në habitat të gjelbër e të pastër, duke injoruar ‘ujin e fëlliqt’ që qarkullon në pjesën përreth. Nëse dikush dëshiron të merret seriozisht me ndotjen, gjëja e parë që duhet ta bëj është të fokusohet në pjesën përreth dhe të analizojë se si habitatet tona të izoluara e “të qëndrueshme” thjesht e eksportojnë ndotjen te rrethinat e tyre.

Ndoshta, na duhet të marrim qasjen e kundërt, nëse kemi ndërmend atë që po bëhet në Japoni: koncentroni sa më shumë ndotje dhe popullatë që është e mundur në qytete të mëdha, kështu që ato funksionojnë si foshnje të fëlliqta në ujë [relativisht] të ndyrë.

Një tjetër shembull: numri i dukshëm i krimeve pedofilike që zuri vend në kishën katolike në mbarë botën, nga Irlanda dhe Pensilvania në Australi. Ato janë krime të bëra nga anëtarë të një institucioni që propagandon veten si një kompas moral të shoqërisë sonë, dhe na detyrojnë të refuzojmë idenë e lehtë që Kisha mundet thjesht të gjuajë priftërinjtë e këqinj dhe të mbajë të mirët.

Ka një “ndërgjegjje institucionale”; një ndananë të pahijshme e të mohuar që mban institucionin publik. Nuk është thjesht për hir të rehatisë që kisha ka provuar t’i heshtë skandalet e pedofilisë; më shumë, në mbrojtje të vetes, kisha po mbronte sekretin e saj më të turpshëm.

Ndoshta, shembulli më i qartë ishte ofruar nga debati i fundit mbi mashkulloritetin toksik. Si përgjigjje ndaj reklamës së fundit të Gillette që kërkon t’i bëj burrat më pak të dhunshëm, dhe më të mirë, ne shpesh e kemi dëgjuar idenë se reklama nuk ishte drejtuar kundër burrave, por vetëm anës toksike të mashkullore. Shkurtimisht, reklama dha shenjë se na duhet të heqim ujin e fëlliqët të mashkullores brutale.

Por ka probleme këtu. Le ta këqyrim më afër listën [e propozuar nga Asociacioni Psikologjik i Amerikës] të tipareve që mendohet se karakterizojnë “mashkulloritetin toksik”: shtypja e emocioneve dhe maskimi i ankthit; pagatishmëria për të kërkuar ndihmë; prirja për të ndërmarrë rreziqe edhe nëse kjo kërkon përfshirjen e rrezikut për lëndimin e vetvetes. Nuk e kuptoj se çka është specifikisht “mashkullore” në këtë listë.

A nuk i përgjigjet kësaj një akt i thjeshtë i kurajës në një situatë të vështirë ku, për të bësh gjënë e duhur, dikush duhet t’i ndrydhë emocionet, ku dikush nuk mund të mbështetet në asnjë ndihmë por që merr rreziqe dhe vepron, edhe nëse kjo nënkupton të ekspozohet para lëndimit?

Njoh më shumë gra se burra që të gjendura në telashe, nuk i janë nënshtruar presionit të ambientit dhe kanë vepruar në mënyrën që përshkrova. Të marrim një shembull nga mitologjia greke: kur Antigona vendosi ta varroste Poliniken, a nuk e bëri të njëjtin akt që tiparizohet si “mashkulloritet toksik”?

Ajo po ashtu i shtypi emocionet e saj dhe e maskoi ankthin, nuk donte të kërkonte ndihmë, dhe e ndërmori një rrezik të madh që mund ta lëndonte shumë. Në kohën tonë të konformizmit politik korrekt, një qëndrim i tillë përbën rrezik.

Ne gjejmë gjurmë të kësaj figure feminine klasike të kurajës edhe në kulturën e sotme popullore, në seritë e njohura televizive, Homeland dhe The Killing.

Heroina e Homeland me emrin Carrie Mathison, një oficere e CIA-s me çrregullim bipolar përfshihet në luftën kundër terrorizmit. Sensi i saj strikt i drejtësisë e shtyn të shkelë shumë rregulla dhe të hyjë në konflikt me eprorët e saj gjë që i rrezikon edhe jetën. Është e ngjashme me inspektoren Sarah Lund, heroinën e serive fantastike daneze The Killing, një tjetër karakter tjetër që reagon dhunshëm ndaj hipokrizisë së establishmentit dhe që përfundon si e shkishëruar. Zoti na jep sa më shumë nga këto gra me mashkulloritet toksik në jetën tonë!

Është një shaka e mirë nga zhanri “Radio Yerevan”: një dëgjues pyet “A është e vërtetë se Rabinovitchi e fitoi një veturë të re në llotari?” dhe radio i përgjigjet: “Në parim po, është e vërtetë, vetëm se nuk ishte veturë e re por biçikletë e vjetër dhe se nuk e fitoi por i ishte vjedhur më parë.”

A nuk qëndron e njëjta edhe për mashkulloritetin toksik?

Le të pyesim Radio Yerevanin: “A është maskuliniteti vërtetë toksik?” Mund ta marrim me mend përgjigjen: “Në parim po, është e vërtetë, vetëm se toksikja nuk është specifikisht mashkullore, plus qëndron për atë që është mënyra më e arsyeshme dhe kurajoze për të vepruar.” /Periskopi

Shpërndaje në: