Mashtruesit blejnë produkte online me paratë e hoxhallarëve

Mashtruesit blejnë produkte online me paratë e hoxhallarëve

Këshilli i Bashkësisë Islame në Lipjan pretendon se ka rënë pre e mashtrimeve nga disa individë që nëpërmjet internetit ua kërkuan hoxhallarëve kartelat bankare, me arsyetimin se do t’i ndihmojnë xhamitë e tyre. Por në vend të kësaj, ata doli se kanë bërë blerje online në shtete të ndryshme. E rastet po hetohen nga Policia, në bashkëpunim me organet e Malit të Zi.

Këshilli i Bashkësisë Islame në qytetin e Lipjanit pretendon se ka rënë pre e mashtrimeve nga individë që, nëpërmjet internetit, ua kanë marrë kodet e kartelave bankare së paku dy hoxhallarëve, me arsyetimin se do t’u transferojnë mjete financiare si ndihmë për nevoja të xhamive.Por pas marrjes së të dhënave nga kartelat e hoxhallarëve, ata realizuan blerje nëpër shtete të ndryshme me paratë e marra nga hoxhallarët.

Enis Jashanica, imam në xhaminë e fshatit Ribar i Vogël, tregon se mashtrimi ndodhi pasi këshilli i xhamisë kërkoi, nëpërmjet një shkrese, mbështetjen e qytetarëve për të mbledhur para për pagesën e rrymës të xhamisë, me ç’rast për një donacion prej 1 mijë e 500 eurosh u lajmërua një person nga Belgjika, me të cilin fillimisht u shkëmbyen mesazhe e më pas u realizuan edhe biseda telefonike.

“Ma dërgo, më tha, kartën me foto dhe unë t’i dërgoj paratë. Pastaj ia fotografova kartën në të dyja anët dhe ai ka tentuar të blejë diçka online, dhe më tha pranoje një kod, përmes tij të vijnë paratë. Pastaj, kur e pashë që më kanë shkuar paratë, sepse më erdh mesazhi, se m’u kanë larguar nga kartela disa të holla, pastaj ma dërgoi edhe një kod tjetër, se deshi edhe diçka tjetër me ble dhe më tha ma jep atë kod e pastaj vijnë krejt paratë edhe tuat, edhe të donacionit”, ka treguar imami Jashanica.

Ai tha se krahas tij, mesazhe të këtilla u janë dërguar edhe hoxhallarëve të tjerë.

“Ky person u ka dërguar mesazhe edhe hoxhallarëve të tjerë e, po ashtu ka hyrë edhe nëpër faqe të xhamive, pastaj edhe aty më ka dërguar mesazh. Po ashtu edhe shumë xhamive të tjera iu ka dërguar mesazhe të tilla dhe ka tentuar t’i mashtrojë edhe disa persona të tjerë”, ka thwnw Jashanica.

“Shkrimi ka qenë kështu: Dy mijë euro i kemi ndarë për xhaminë tënde si donacion dhe të lutem ma dërgo llogarinë. Pra, përmes internetit, dy persona tashmë veç kanë ra pre e kësaj ngjarjeje. E kemi një imam, i cili ka bërë thirrje për ta paguar rrymën në xhami dhe e ka shfrytëzuar rastin ashtu dhe ka bërë tërheqje të parave nga llogaria e tij, dhe zakonisht përmes internetit janë duke funksionuar këta. Dy raste janë në Lipjan që kanë marrë para përmes llogarive”, ka thënë Baftiu.

Në Polici i konfirmuan dy rastet dhe thanë se hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me organet e rendit në Mal të Zi, shtet ky në të cilin i dyshuari nga Belgjika ka postuar në rrjete sociale fotografi pranë një veture me targa malaziase dhe në të cilin besohet se është realizuar blerja online në vlerë prej 280 eurosh.

Shpërndaje në: