Matoshi: Kurtit i duhet një President pa bosht kurrizor e pa dhëmbë, një butak që mbanë një karrige si marionetë e tij

Matoshi: Kurtit i duhet një President pa bosht kurrizor e pa dhëmbë, një butak që mbanë një karrige si marionetë e tij

Situata politike në vend mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e presidentit ende nuk kanë prodhuar marrëveshje mes partive kryesore, derisa kryeministri i vendit Albin Kurti ka zhvilluar dje takim me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun për çështjen e Presidentit. Një takim mes Kurtit dhe Bedri Hamzës ende nuk është mbajtur, ndërkaq dje kreu i AAK’së në një emision live ka refuzuar dje takimin me Kurtin, shkruan Periskopi

Lidhur me këtë temë Periskopi ka kontaktuar analistin Halil Matoshi.

Matoshi i ka thënë Periskopit se, Kurti nuk është i interesuar për stabilitet institucional, por për menaxhim të situatave të krizës si mënyrë për të mbajtur pushtetin.

“Albin Kurti nuk do dhe nuk do institucione stabile të vendit sepse ai jeton politikisht vetëm në kriza (gjendje të pashpallura të jashtëzakonshme), ai nuk qeverisë por përpiqet të sundojë duke ngjitur fjalë e stisur propagandë! Ai nuk menaxhon shtetin dhe resurset por manipulon emocionet e njerëzve dhe shpenzon resurset në fushata zgjedhjesh të manipuluara,” ka deklaruar Matoshi për Periskopin.

Ai ka vazhduar më tej me kritika, duke u ndalur edhe te roli i presidentit dhe raportet ndërinstitucionale, për të cilin thotë se Kurtit i duhet një President/e pa bosht kurrizor e pa dhëmbë, një butak që mbanë një karrige si marionetë e tij, por jo balancues ndërmjet institucioneve dhe garatues të funksionimit demokratik të tyre.

“Atij i duhet një President/e pa bosht kurrizor e pa dhëmbë, një butak që mbanë një karrige si marionetë e tij, por jo balancues ndërmjet institucioneve dhe garatues të funksionimit demokratik të tyre. Kurti është antikapitalist dhe anti Trump, një socialist deluziv që e mendon veten nacionalist. Së këndejmi ai mësyn kontrollin e plotë të pushtetit dhe shpërbërjen e Kosovës së 17 shkurtit, dmth. është politikan me qëllime të fshehta. Ai nuk do t’i japë vendit një president/e që mendon vet e merr vendime kushtetuese deri sa t’i shemb grupet politike opozitare dhe ta vendos në krye të shtetit një kukull të tij, ngjashëm me Edi Ramën.”, ka thënë ai.

Në fakt, takimi i së hënës ishte i katërti mes Kurtit dhe Abdixhikut për çështjen e presidentit.

Tri takimet e mëparshme, po ashtu pa rezultat, janë mbajtur para 5 marsit, kur seanca për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë në mungesë kuorumi.

Ky është takimi i parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i nxjerrë para 12 ditësh, me të cilin është shfuqizuar dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Vendimi u ka dhënë deputetëve 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri.

Nëse procesi nuk përmbyllet suksesshëm deri më 28 prill, vendi do të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve.

Takime, Kurti ka mbajtur edhe me Hamzën. Në dy takimet e zhvilluara gjatë muajit shkurt, Hamza i ka propozuar Kurtit një zgjidhje sipas së cilës presidenti i ri do të duhej të ishte kandidat i propozuar nga PDK-ja.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Vetëvendosje ka 66 deputetë, 14 më pak se numri minimal i ligjvënësve që kërkohen për të votuar në dy rundet e para për ta zgjedhur presidentin.

Deri tash, kandidatura zyrtare për presidentë janë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të dy nga Vetëvendosje.

Partia Demokratike ka 22 deputetë, që e bën të pamundur t’i mbledhë e vetme 30 nënshkrime për ta prezantuar një kandidaturë.

66 deputetët e shumicës dhe 22 të PDK-së do ta kalonin pragun kushtetues dhe njëkohësisht do të përmbushnin kërkesën e Kurtit që në sallë të jenë 84 deri në 86 deputetë për zgjedhjen e presidentit, pasi sipas tij, minimumi prej 80 deputetësh nuk garanton suksesin e procesit./Albina Zariqi-PERISKOPI/

Përfundon takimi, s’ka marrëveshje Kurti-Abdixhiku

Kurti sërish e përjashton LDK nga kombinimi për President: Na duhen së paku 84 ose 85 vota

A është i gatshëm që postin e Presidentit t’ia japë PDK`së, Ja si përgjigjet Kurti

Hamza i përgjigjet Kurtit për takim: Duhet ta konkretizoni iniciativën e re, që ta shqyrtojmë në organet e partisë

Shpërndaje në: