Mbledhje shqiptare s’ka, Kurti harron inatin me Ramën, tash flet për “bashkëpunim të thellë” me Shqipërinë

Mbledhje shqiptare s’ka, Kurti harron inatin me Ramën, tash flet për “bashkëpunim të thellë” me Shqipërinë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë me rastin e shënim të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë tani ka marrë formën e një përkushtimi të thellë, që sipas tij, nuk matet vetëm me dokumente apo statistika, “por me mënyrën se si përmirësohet jeta e qytetarëve”. 

“58 marrëveshje të nënshkruara vetëm në katër vjetët e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë e prekin këtë afrim në jetën e tyre, janë tregues se vizioni i përbashkët nuk është vetëm fjalë: është tregti që rritet me qindra milionë euro, energji që qarkullon pa pengesa, janë Lojërat Mesdhetare 2030, studentë që gëzojnë mundësi të barabarta, janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës”, citohet të këtë thënë Kurti.

Ai thuhet se ka përmendur edhe hapjen e zyrave doganore, heqjen e vulës apostile, njohjen e pensioneve dhe sigurimeve si dhe njësimin e diplomave dhe lëvizjen pa kontrolle kufitare.

“Në arsim e kulturë, janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë ”, citohet Kurti në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Periskopi/

Shpërndaje në: