Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij ende në arrati – krejt çka dihet deri tani për vrasjen e trefishtë në Gjilan
Qyteti i Gjilanit të dielën u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku tre persona u vranë si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Të vdekur mbeten babë e bir, argjendar të njohur në këtë qytet, të cilën u vranë në një kafene afër objektit të komunës. Pak më vonë, vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në Spitalin e Gjilanit, duke e çuar bilancin në tre viktima.
Të dyshuar për rastin e rëndë janë Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra të cilët tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Ata ende janë në arrati, pasi nuk janë kapur nga organet e rendit.
Drejtori rajonal i policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, dje pasdite në një konferencë për media tha se për vrasjen e tre personave në Gjilan, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet që të bëjë lokalizimin e personave të dyshuar, të cilët akoma ndodhen në arrati.
I pyetur për detajet e këtij rasti tronditës lidhur me veprimet e të dyshuarve pas vrasjeve, ai tha se të dyshuarit në fillim kanë lëvizur këmbë.
“Fillimisht ata kanë lëvizë në këmbë, nuk mund të japim informacione më shumë”, tha drejtori Rukiqi, ndërsa bëri të ditur se një person është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Ai tutje tha se i dyshuari Mefail Shodra ka precedent penal me gjithsej 31 raste, si fajde, shantazh, mashtrim, etj.
“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm në pesë raste, prishje e rendit dhe qetësisë publike në dy raste, fajde nëtri raste, mashtrim në një rast, kërcënim në tri raste, shantazh një rast, detyrim në dy raste. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion”, tregoi Rukiqi.
Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, në një konferencë për media pas vrasjes së trefishtë në Gjilan tha se është ende herët të dilet me qëndrim për motivet.
“Ju siguroj se rasti do të trajtohet me profesionalizem dhe seriozitet nga Prokuroria Themelore në Gjilan”, tha ai.
Një person në gjende të rëndë në QKUK
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se një person i plagosur në Gjilan të dielën është në gjendje të rëndë, por stabile për momentin.
Ai bëri të ditur se i plagosuri me armë zjarri po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.
“Gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin. Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme. Derisa vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”- ka bërë të ditur Syla, për Kallxo.com.
Pas këtij rasti tragjik që tronditi jo veç Gjilanin, por edhe krejt Kosovën, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu adresuan kritika në drejtim të sistemit të drejtësisë, shkruan Reporteri.net.
Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail dhe Edonis Shkodra, kishin qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim – nga 21 qershori deri më 8 tetor 2024 – me ndërprerje të paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, dy nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë, kanë qëndruar vetëm pak muaj në paraburgim, nga data 21 qershor 2024 deri më 8 tetor 2024, me ndërprerje paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë”.
Sipas saj, kjo periudhë shumë e shkurtër paraburgimi për vepra të rënda tregon një problem serioz në trajtimin e rasteve nga organet e drejtësisë.
“Një qëndrim kaq i shkurtër dhe ndërprerja e paraburgimit, mund të çojë në pasoja tragjike siç pamë sot me vrasjen e trefishtë. Sistemi i drejtësisë duhet të tregojë përgjegjësi maksimale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve”.
dhe Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe përcolli ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa kritikoi ashpër Prokurorinë dhe Gjyqësorin për, siç tha, tolerim ndaj krimeve të rënda.
Ai theksoi se i dyshuari kryesor ishte arrestuar vitin e kaluar për fajde, por ishte lënë i lirë, duke kërkuar që institucionet të reflektojnë dhe të mos ketë më asnjë tolerim ndaj kriminelëve.
“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot.
Është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale. Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar”, ka shkruar Sveçla.
Por, kush është Mefail Shkodra?
Në fundit të muajit qershor të vitit 2024, pas një aksioni të Policisë së Kosovës në Gjilan, Mefail Shkodra bashkë me djalin e tij Edonis Shkodra ishin arrestuar nën dyshimin e veprave penale të “Fajdës dhe Detyrimit”.
Të dy, bashkë me një person tjetër, i njohur Albert Malisheva dyshohej se kishin ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një viktime me qëllim përfitimin financiar nga veprimet e tyre të paligjshme, duke shkaktuar dëme materiale në vlerë prej mbi 600,000 euro për viktimën.
Pas arrestimit, Mefail Shkodra dhe djali i tij, Edonis Shkodra u ndaluan me urdhër të Prokurorit për 48 orë.
“Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, kishte njoftuar Policia e Kosovës pas aksionit.
Në rrjete sociale nuk mungonte ekspozimi i jetës lukszove që Mefail Shkodra bënte. Makinat e shtrenjta, orët e kushtueshme, veshjet e markave të njohura dhe aksesorët prej ari janë të ekspozuara në postimet e tyre.
Të dyshuarit Mefail dhe Edonis Shkodra, veçanërisht, janë të njohur për pasionin e tyre për vetura që kushtojnë qindra mijëra euro.
Gjithashtu, në rrjete sociale Mefail Shkodra ka edhe fotografi, ku shihet nën shoqërinë e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshortit të saj, Prindonit, si dhe Kryeministrit tani në detyrë, Albin Kurtit, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama./Periskopi/



