Sukseset e Albin Kurtit, Serbia as në ëndërr nuk i ka parë

Sukseset e Albin Kurtit, Serbia as në ëndërr nuk i ka parë

Shkruan: Lirim Mehmetaj

Kur fillimisht e lexova me shkrim deklaratën e Albin Kurtit se, sukseset e tij të tjerët as në ëndërr nuk i shohin, isha i bindur që po bëhet fjalë për një fake news.

Më vonë, kur u vërtetova që e ka thënë, e pata të pamundur ta kuptoj nga i buron atij kjo ide se ka qenë vit kaq i suksesshëm për Kosovën.

Kur nuk ka kaluar as një mandat i plotë ai ka arritur ta fus Kosovën nën sanksione nga Bashkimi Evropian; e ka përjashtuar nga programe që udhëhiqen nga NATO dhe SHBA-të; ka krisur raportet me Shqipërinë; nuk ka sjellur asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe as njohje të ndonjë shteti dhe për më tepër, me veprimet e tij politike, krijoi presionin ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje pa njohje të ndërsjelltë e me autonomi territoriale në qendër.

Për më pak se 3 vjet Kurti arriti atë që Serbia përmes një lufte intensive dhe speciale të mbështetur nga fushata multimilionëshe kundër Kosovës nuk e ka arritur.

Atëherë për çfarë flet ky njeri?

Vetëm pastaj e kuptova çfarë ka thënë saktësisht Kurti dhe më duhet ta pranoj që është treguar i sinqertë.

Ai ka thënë “sukseset e tij të tjerët nuk i shohin as në ëndërr”, jo “sukseset e Kosovës nuk i shohin të tjerët as në ëndërr”.

Duke e pasur krejtësisht të qartë se sukseset e tij janë të kundërta me ato të Kosovës, atëherë ai ka plotësisht të drejtë.

Ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm në shkatërrimin dhe demolimin e çdo arritje të Kosovës qysh nga vitit 1999.

Këto suksese Serbia as në ëndërr nuk i ka parë.

P.S

Edhe disa suksese historike:

Kreditë janë rrit nga 1.36 miliardë në 1.87 miliardë.

Bankat private kanë shënuar rritje vetëm nga vitit i kaluar për rreth 30 milionë.

Qytetarët – për herë të parë në histori të Kosovës – shpenzojnë mbi 55% të buxhetit mujor në ushqim. Në 2017 ishte 39%.

Llogaritë e kursimeve të qytetarëve në fund të muajit tetor 2023 kanë shënuar pikën më të ulët.

Në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë (UNDP).

“Inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës”. (UNDP)

69.2% e të anketuarve raportuan se duhej t’i përshtatnin zakonet e tyre të shpenzimeve ose buxhetin në përgjigje ndaj çmimeve më të larta vitin e kaluar”. (UNDP)

Shpërndaje në: