Meloni: Kush proteston kundër Lojërave Olimpike është armik i Italisë
Kryeministrja e Italianë Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas protestave në vend kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore. Meloni i ka cilësuar protestuesit “armiq të Italisë”, të cilët përveç përplasjeve të ashpra me policinë, kanë sabotuar gjithashtu dhe infrastrukturën hekurudhore.
“Ja kush janë: armiqtë e Italisë dhe të italianëve, që protestojnë kundër Lojërave Olimpike dhe dërgojnë këto imazhe në televizionet e gjithë botës. Ndërkohë që të tjerët prisnin kabllot e hekurudhës për të penguar nisjen e trenave,” shkroi Meloni, duke shprehur gjithashtu mbështetje për forcat e sigurisë të Milanos dhe për ata që “do të shohin punën e tyre të pengohet nga këto banda kriminale”.
Të shtunën pasdite, mijëra njerëz dolën në protesta në Milano. Incidentet ndodhën në zonën Corvetto, kur një grup i vogël i maskuar tentoi të arrinte në rrugën periferike dhe hodhi fishekzjarre ndaj policisë. Forcat e rendit reaguan me topa uji dhe sulm të shkurtër, duke shpërndarë rreth 50 persona, ndërsa pesë persona u ndaluan.
Në të njëjtën kohë, rrjeti hekurudhor u përball me probleme serioze për shkak të një zjarri në një kabinë elektrike pranë Pesaros dhe dy pajisjeve shpërthyese të improvizuara në nyjën e linjës Bolonjë–Padova. Trenat me shpejtësi të lartë u detyruan të përdorin linjën e vjetër, duke pësuar vonesa deri në 120 minuta. Autoritetet dyshojnë për organizata anarshiste, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë marrje përgjegjësie./Periskopi/



