Memli Krasniqi takohet me kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave

Memli Krasniqi takohet me kandidatët e PDK-së për kryetar të komunave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kandidatët për kryetar të ardhshëm të komunave dhe shefat e shtabeve zgjedhore të kësaj partie, ku kanë diskutuar për kujdesin e shtuar dhe respektimin e rekomandimeve shëndetësore në këtë periudhë pandemie, në procesin zgjedhor demokratik siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Lideri i opozitës ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kandidatët e PDK-së do të shpalosin para qytetarëve planet dhe projektet e tyre politike dhe pas 17 tetorit, qytetarët do të kenë adresë të mirëfilltë për të jetësuar aspiratat e tyre në të gjitha komunat e Kosovës.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, krahas procesit demokratik zgjedhor, e kemi për obligim të tregojmë kujdes të shtuar dhe të respektojmë rekomandimet e institucioneve shëndetësore në këtë periudhë pandemie.

Për këtë qëllim, sot kam takuar të gjithë kandidatët për kryetar komune nga radhët e PDK-së, si dhe të gjithë shefat e shtabeve zgjedhore, që të marrin masa për t’iu përmbajtur të gjitha rekomandimeve shëndetësore gjatë procesit zgjedhor që kemi para vetes.

Duke respektuar rregullat përkatëse, kandidatët tanë do të shpalosin para qytetarëve planet dhe projektet e tyre politike dhe pas 17 tetorit, qytetarët do të kenë adresë të mirëfilltë për të jetësuar aspiratat e tyre në të gjitha komunat e Kosovës.

Shpërndaje në: