Mesfushori kosovar afër transferimit në Ukrainë, pritet të marrë një pagë rekord
Mesfushori kosovar, Lindon Emërllahu, duket se po përgatitet për të lënë Clujin në Rumani dhe t’i bashkohet ekipit ukrainas Polissya Zhytomyr, që aktualisht renditet i treti në kampionat, raporton mediumi rumun Digi Sport.
Emërllahu pritet të niset për Ukrainë të shtunën, ku do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore para nënshkrimit të kontratës. Një ditë pas ndeshjes që Cluji do të luajë kundër Csikzeredas në kuadër të javës së 20-të të elitës rumune, Emërllahu do të udhëtojë direkt për në Ukrainë.
Nëse testet mjekësore kalohen me sukses, mesfushori kosovar do të nënshkruajë një kontratë me vlerë rreth 350 mijë euro për sezon.
Cluji do të përfitojë 1.5 milionë euro nga transferimi, plus një përqindje prej 10% nga një transferim i mundshëm në të ardhmen.
Emerllahu ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar dy asistime në 23 ndeshje këtë sezon me Clujin, në të gjitha garat./Periskopi/



