Ministër Murati takon ambasadorin italian: I flet për rritjen ekonomike dhe që financat po menaxhohen mirë

Ministër Murati takon ambasadorin italian: I flet për rritjen ekonomike dhe që financat po menaxhohen mirë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë Antonello De Riu, për të diskutuar rreth programit Qeverisës, Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022.

Ministri Murati para ambasadorit italian ka prezantuar punën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve duke u fokusuar në masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, menaxhimin e mirëfilltë të financave publike dhe rritjen ekonomike që ka pasur vendi muajve të fundit.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Financave thuhet se “Ambasadori De Riu ka theksuar se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend, e sidomos Projektligjin për Buxhetin 2022, i cili drejtpërdrejtë synon arritjen e objektivave të parapara në Programin Qeverisës 2021-2024”.

Ministri Murati gjatë takimit e njoftoi Ambasadorin De Riu për gjendjen me situatën pandemike, duke theksuar se Qeveria ka ndërmarrë një varg masash për kontrollin e pandemisë duke e bërë Kosovën vendin me popullsinë më të vaksinuar në regjion.

Tutje thuhet se “Ambasadori De Riu falënderoi Ministrin Murati për pritjen dhe theksoi se do ta mbështesin Qeverinë Kurti në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, si dhe do të vazhdojnë me rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve”.

Shpërndaje në: