Ministri Arsim Bajrami ndan 234 mijë euro për OJQ’n ku punon djali i tij

Ministri Arsim Bajrami ndan 234 mijë euro për OJQ’n ku punon djali i tij

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Republikës së Kosovës ka nënshkruar një kredi në vlerë prej 2 milionë dollarëve amerikanë nga Banka Botërore për nënkompotentën e granteve për Zhvillim të Shkollave në Kosovë.

Por nga kjo kredi, të cilën obligohen që ta paguajnë taksapaguesit kosovarë, Ministria që e drejton Arsim Bajrami ia ka ndarë 234 mijë euro organizatës ku punon si menaxher i projekteve Kushtrim Bajrami, djali i ministrit Arsim Bajrami. Bëhet fjalë për një kontratë të nënshkruar nga Fondi i Kredisë i Bankës Botërore me organizatën joqeveritare – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), ku kjo organizatë gjatë viteve në vijim do t’i ofrojë ndihmë shkollave kosovare se si ta përgatisin dokumentacionin për të fituar grante nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Gazeta “Zëri” ka bërë një hulumtim disajavor në lidhje me fondet që i përfiton organizata joqeveritare – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), e cila drejtohet nga Dukagjin Pupovci dhe ku që nga viti 2012 punon si menaxher i projekteve Kushtrim Bajrami, djali i ministrit në detyrë të Arsimit, dhe ka zbuluar se kjo OJQ edhe më herët ka përfituar fonde të majme nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, si dhe nga donatorë të shumtë ndërkombëtarë.

 

Pupovci: Konkurruan edhe kompani ndërkombëtare, fituam ne

Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë kanë filluar implementimin e projektit “Mbështetje e implementimit të granteve shkollore”, të cilën e financon me 234 mijë euro Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Sipas Pupovcit, kjo është një kontratë komerciale dhe, siç thotë ai, ato s’janë mjete të Qeverisë së Kosovës.

“Në këtë projekt kanë marrë pjesë edhe kompani ndërkombëtare, duke përfshirë këtu kompani nga Zelanda e Re, Italia, por KEC-i është shpallur fituese, pasi që vlera e projektit ka qenë e vogël dhe s’ka pasur interesim nga kompanitë e huaja që të merren me projektin në fjalë”, shprehet Pupovci.

BB: Do t’i marrim në konsideratë informacionet për konflikt potencial të interesit

Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore në Kosovë, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se Qeverisë së Kosovës i kanë dhënë kredi në vlerë prej 11 milionë dollarëve amerikanë për projektin “Përmirësimi i Sistemit të Arsimit (ASIP)” dhe sipas tij brenda këtij projekti 2 milionë dollarë amerikanë janë planifikuar për nënkomponentën e granteve për zhvillim të shkollave, që përfshin kostot e përkrahjes për zbatim dhe fondin e granteve që marrin shkollat.

Sipas tij, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT) është përgjegjëse për zbatimin e përgjithshëm të projektit, prioritizimin dhe përgatitjen e planeve vjetore të aktiviteteve, si dhe koordinimin e aktiviteteve të ndryshme të projektit. Po ashtu sipas nevojës rekrutohet ekspertizë e jashtme teknike për t’i përkrahur këto njësi në zbatimin e projektit.

Ai ka shtuar se procesi i përzgjedhjes së shërbimeve konsulente që do të ofrojnë përkrahje, zbatim të granteve zhvillimore për shkolla i nënshtrohet procedurave të Bankës Botërore të passhqyrtimit, ndërsa MASHT-i ka qenë përgjegjës për të gjitha aspektet tjera të procesit përzgjedhës të shërbimeve konsulente.

“Emërimi i anëtarëve të Komisionit Vlerësues është gjithmonë përgjegjësi e huamarrësit, ndërsa përbërja dhe funksioni i tij duhet të jenë në pajtim me udhëzimet e Bankës Botërore”, ka thënë Mantovanelli.

I pyetur se në kreditë që aprovohen nga Banka Botërore a shikohen edhe aspektet e mundshme të konfliktit të interesit, ku mund të jenë të përfshirë zyrtarët e institucioneve që menaxhojnë mjetet e kredisë, Mantovanelli ka shtuar se dokumentet e shqyrtuara nuk kanë pasur ndonjë informacion që do të mundë t’i aktivizonte klauzolat për konflikt potencial të interesit të udhëzimeve të Bankës Botërore për përzgjedhjen dhe punësimin e konsulentëve në kuadër të kredive të IBRD-së dhe kredive të IDA-s. “Do të marrim në konsideratë çfarëdo informacioni të ri që mund të paraqitet në të ardhmen në lidhje me klauzolat  për konflikt potencial të interesit”, ka potencuar ai.

Kontratat e MASHT-it me KEC-in

Megjithatë, këto nuk janë të hyrat e vetme që organizata KEC i ka realizuar nga Ministria e Shkencës dhe e Teknologjisë.
Për realizimin e projektit “Kosovision”, MASHT-i vite më parë i ka dhënë Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) 279 mijë euro.

Projekti që ka të bëjë me organizimin e një gare për të gjitha klasat e pesta të Kosovës ka filluar të zbatohet nga viti 2008 me fonde të qeverisë zvicerane dhe ka vazhduar deri në qershorin e vitit 2014.

Ndërsa në shtator të vitit 2014 ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, kishte nënshkruar  kontratën e zbatimit të projektit “Kosovision” mes MASHT-it dhe KEC-it, por pagesa e këtyre mjeteve ka ndodhur gjatë mandatit sa ministër i Arsimit është Arsim Bajrami.

“Kontrata është nënshkruar gjatë kohës sa Ramë Buja ka qenë ministër i Arsimit, ndërsa pagesa e mjeteve ka vazhduar gjatë mandatit të ministrit Arsim Bajrami”, sqaron Dukagjin Pupovci, nga OJQ KEC.

Ndërsa Faton Fetahu, asistent personal i ministrit Arsim Bajrami, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se në kohën kur është nënshkruar kjo kontratë Arsim Bajrami jo që nuk ka qenë ministër, por ka qenë krejt e paqartë cila do të jetë përbërja e koalicionit qeverisës.
“Prandaj, nuk ka asnjë bazë që financimi i këtij projekti të ndërlidhet me emrin e ministrit e aq më pak me faktin se djali i tij punon në KEC. Sa për informatë, z. Kushtrim Bajrami punon në KEC nga viti 2012 dhe vazhdon të punojë në KEC, por, me aq sa dimë ne, nuk ka asnjë lidhje me projektin ‘Kosovision’”, ka deklaruar Fetahu.

Sipas tij, kontrata me KEC-in është nënshkruar më 23 shtator 2014, e cila, siç thotë ai, përcakton pagesat që do të realizohen në 9 këste të barabarta, në lartësi prej 31,000 eurosh, duke filluar nga 15 shkurti i 2015-s deri më 15 tetor 2017, e në bazë të raporteve të punës të prezantuara nga KEC-i. “Deri më tani i kemi paguar 4 këste, tri për vitin 2015 dhe një për vitin 2016 në vlerë të përgjithshme prej 124,000 eurosh. Për shkak të procedurave administrative është vonuar pagesa e dy kësteve nga viti 2016 në lartësi të përgjithshme prej 62,000 eurosh, ndërsa gjatë këtij viti duhet të paguhen edhe 93,000 euro për vitin 2017”, ka bërë të ditur Fetahu.

Projektet milionëshe që i menaxhon djali i ministrit

Në bazën e projekteve të KEC-it figuron se Kushtrim Bajrami, djali i ministrit Arsim Bajrami, menaxhon me projekte milionëshe të donatorëve ndërkombëtarë.

Bëhet fjalë për projektin KEEN në vlerë prej mbi 1 milion eurosh, të cilin e financon Bashkimi Evropian dhe që e menaxhon atë Kushtrim Bajrami.

Madje në lansimin e këtij projekti nga menaxheri Kushtrim Bajrami në rreshtin e parë të të të ftuarve ishte ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Ky projekt ka për qëllim ofrimin e kontributit për përmirësimin e punësueshmërisë së grupeve në nevojë në Kosovë dhe përfshirjen e tyre në zhvillimin e politikave.

Projekte të tjera që i ka menaxhuar Kushtrim Bajrami, të financuara nga Bashkimi Evropian, kanë qenë “Mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet në internet” në vlerë prej 203 mijë eurosh, “Shtimi i mundësive për hulumtim në shkencat shoqërore në Kosovë” në vlerë prej mbi 262 mijë eurosh./Zeri/

 

Shpërndaje në: