Ministria e Bujqësisë humb rastin në gjykatë, detyrohet të paguajë mbi 100 mijë euro kreditorit

Ministria e Bujqësisë humb rastin në gjykatë, detyrohet të paguajë mbi 100 mijë euro kreditorit

Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhoma e Shkallës së Dytë ka marrë vendim për çështjen e përmbarimit të kreditorit “Klajger Konstruksion” Sh.P.K. kundër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe refuzuar si të pabazuar ankesën e ministrisë, raporton Periskopi.

Me këtë vendim, ministria është e detyruar të paguajë shumën e faturuar prej 101,052.21 euro, që lidhet me shërbimet e kryera sipas kontratës publike kornizë për programin e inventarizimit të tokave bujqësore, si dhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 270 euro. Pagesa duhet të realizohet brenda shtatë ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktvendimit.

Kjo çështje ka nisur në dhjetor të vitit 2020, kur kreditori “Klajger Konstruksion” kishte dorëzuar propozim për përmbarim bazuar në faturën nr.06 të datës 30.03.2020, e cila rrjedh nga kontrata publike kornizë Ref.nr.203/15/19 për periudhën e vitit 2020 dhe ishte e miratuar nga Komisioni i Menaxherëve të Kontratës pranë ministrisë. Ministria kishte kundërshtuar përmbarimin duke argumentuar se shërbimet ishin kryer jashtë vlerës së lejuar të kontratës dhe pa miratimin paraprak, si dhe se kreditori kishte tejkaluar shpenzimet e projektit të parashikuara në kontratë.

Gjykata, pas shqyrtimit të të gjitha dokumenteve dhe provave, ka konstatuar se shërbimet ishin kryer me miratimin e Komisionit të Menaxherëve dhe se fatura përbënte dokument të besueshëm për ekzekutim, duke përmbushur të gjitha kriteret ligjore për përmbarim sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore. Vendimi i shkallës së dytë konfirmon se ministria duhet të përmbushë detyrimin financiar ndaj kreditorit, duke respektuar kontratën dhe dokumentacionin zyrtar të projektit.

“Gjykata, ka vlerësuar pretendimet e debitorit se kreditori ka kryer shërbime pa pëlqim, miratim apo vendim të debitorit, mirëpo të njëjtat i gjeti si të pabazuara ngase nga shkresat e lëndës, përkatësisht shkresa mbi aprovimin e planit dinamik e datës 30.01.2020 e lëshuar nga Komisioni – Menaxherët e kontratës në kuadër të debitorit, rezulton se kryerja e punëve është bërë me pëlqimin e këtij komisioni,ndërsa përmes shkresës së datës 03.04.2020, nga i njëjti komision është konfirmuar se kreditori ka realizuar aktivitetet sipas specifikimeve teknike të përshkruara në dosje të tenderit në vlerë prej 101,052.210 euro. Po ashtu pretendimet e debitorit se shërbimet janë kryer jashtë vlerës se lejuar me kontratën bazë dhe së debitori ka pranuar mjete me tepër se çmimi i parashikuar ikontratës gjë qe bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik por gjykata për shkak te parimit te rigorozitetit juridik formal ne këtë procedurë nuk është lëshuar ne këtë pretendim pasi qe gjykata ne këtë faze te procedurës vlerëson vetëm përshtatshmërinë e dokumentit mbi bazën e te cilit është lejuar përmbarimi dhe jo te dhe rrethanave tjera, megjithëqë qe gjykata vlerëson te drejtën e palës debitore qe përkitazi këtyre pretendimeve te inicioj procedure te rregullt civile. Ne lidhje me shpenzimet e procedurës gjykata ka vendosur konform nenit 463 dhe 453 te LPK lidhur me nenin 17 dhe 13 te LPP, dhe meqë pretendimet e paraqitura ne prapësim nuk paraqesin bazë për anulimin e urdhrit përmbarimor sipas nenit 71 te LPP, konform nenit 73 te LPP vendosi si ne dispozitiv te aktvendimit”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Shuma e përgjithshme që duhet të paguhet nga ministria përfshin borxhin bazë prej 101,052.21 euro dhe shpenzimet procedurale për përfaqësim në gjykatë prej 270 euro, duke e çuar detyrimin total në 101,322.21 euro.

Ky vendim shërben si precedent për respektimin e dokumenteve të besueshme në kontratat publike dhe procedurat përmbarimore në Kosovë, duke treguar se dokumentacioni i rregullt dhe miratimi i projekteve nga organet kompetente është baza për zbatimin e pagesave dhe përmbarimin ligjor./Periskopi

Me poshtë e gjeni vendimin e plotë: MBPZHR vendimi i gjykates SH 2

 

 

 

Shpërndaje në: