Ministritë “mbahen gjallë” nga ushtruesit e detyrës

Ministritë “mbahen gjallë” nga ushtruesit e detyrës

Raportet e Auditorëve të publikuara ditëve të fundit, kanë gjetur një të përbashkët në shumicën e ministrive. Shumë pozita dhe funksione të larta ushtrohen për periudha të gjata nga ushtruesit e detyrës (UD).

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, pozita e ushtruesit të detyrës nuk mund të mbahet për periudhë më të gjatë se tre muaj, gjë e cila nuk përfillet fare nga ministrisë e Qeverisë së Kosovës, ku këto funksione në disa raste kryhen edhe me vite, raporton lajmi.net

Ministria e Punëve të Brendshme mund të cilësohet si “lidere” për pozitat që ende kryhen nga UD, me mbi 64 pozita të tilla. Këtu përfshihen edhe pozitat në institucionet që hyjnë në kuadër të kësaj ministrie, si Policia e Kosovës, Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME).

Në MPB 8 pozita mbulohen me ushtrues detyre, në ARC dhe AME janë nga dhjetë pozita të cilat mbulohen nga ushtruesit e detyrës, e madje disa nga to që nga viti 2011. Kurse në Policinë e Kosovës 36 pozita janë të mbuluara nga ushtruesit e detyrës.

Edhe në Ministrinë e Financave disa pozita të rëndësëishme mbulohen nga ushtruesit e detyrës, madje edhe që nga viti 2014. Këtu përfshihet pozita e udhëheqësit të divizionit të politikave fiskale, dhe pozita e menaxherit të prokurimit.

“Pozita e udhëheqësit të divizionit të politikave fiskale, vazhdon të mbulohet me U.D. që nga viti 2014, përderisa pozita e menaxherit të prokurimit mbulohet fillimisht me zëvendësim nga janari 2016 e më pas me U.D. nga korriku 2016. Këto pozita vazhdojnë të mbulohen me U.D. edhe në vitin 2017, përkatësisht deri muajin mars, në kohen sa ishim në auditimin final”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Financave.

17 pozita menaxhuese në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, gjithashtu mbahen nga Ushtruesit e Detyrës, në kohëzgjatje më shumë se ni vit.

“Gjatë vitit 2016, në 17 raste pozitat menaxhuese (përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, drejtoret e departamenteve, udhëheqës të divizionit dhe pozita të zyrtarëve të ndryshëm) ishin mbuluara me Ushtrues Detyre (UD), për raste të caktuara me kohëzgjatje më shumë se një (1) vjet. Kjo dukuri është e shprehur edhe në agjencitë dhe programet tjera të MAShT. Kjo situatë ka rrjedhë si pasojë e mos përfundimit të proceseve gjyqësore dhe mospërfilljes së afatit për UD. Si rezultat funksionimi i strukturave qeverisëse nuk ka siguruar gjithmonë llogaridhënie efektive”, thuhet në raportine Auditorit të MASHT-it.

Rrugë për Ushtrues detyre nuk lëshon as Ministria e Shëndetësisë. Te këta të fundit janë evidentuar 5 pozita udhëheqëse të cilat mbahen nga UD-të duke e tejkaluar afatin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë.

“Ligji për Shërbimin civil të Republikës së Kosovës (Nr. 03/L-149), përkatësisht Neni 30.4, precizon që për plotësimin e pozitës së lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj. Ne kemi gjetur se në MSh pesë (5) pozita udhëheqëse vazhdojnë të mbahen nga UD duke e tejkaluar afatin e lejuar ligjor për mbajtjen e pozitës në këtë formë”, ka gjetur auditori.
Edhe në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pesë pozita udhëheqëse mbahen nga ushtruesit e detyrës që nga viti 2014. Një gjë e tillë është në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil.

Pozita të larta nga UD mbulohen edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Integrimeve Evropiane.

“Rregullorja nr. 06/2012 për emërimet në shërbimin civil përcakton se asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk mund të mbahet me Ushtrues Detyre (UD) më tepër se tre (3) muaj. Gjatë auditimit kemi vërejtur se një (1) pozitë menaxhuese mbahej me UD prej muajit korrik 2015”, thuhet në raportin e auditorit për MPJ-në.

“Gjatë auditimit kemi vërejtur se një (1) pozitë menaxhuese mbahej prej muajit gusht 2015 me U.D.

Inicimi i procedurave të rekrutimit për këtë pozitë kishte filluar në gusht 2016, mirëpo ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shkak të mos respektimit të afateve kohore në bazë të rregullores 02/2010”, ka gjetur auditori në Ministrinë e Integrimeve.

Ushtrues Detyre për periudha më të gjatë janë evidentuar edhe në komuna të ndryshme të Kosvës, dhe institucione tjera publike.

Shpërndaje në: