Meinl-Reisinger kujtoi gjithashtu se Austria ishte ndër vendet e para që pas rënies së komunizmit ka sjellë diplomatët e saj në Shqipëri dhe që besonin në të ardhmen e Shqipërisë.
Në fokus të takimit ishte shndërrimi i aksit Tiranë-Vienë, “në një aks shumë më dinamik” sipas ministres në të gjitha drejtimet, politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin e sigurisë.
Spiropali tha se gjatë takimit, të dyja palët rikonfirmuan bashkëpunimin e ngushtë në organizmat ndërkombëtarë, ku Shqipëria dhe Austria ndajnë të njëjtat vlera për stabilitet, barazi, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor.
Po ashtu ministrja Spiropali vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të investimeve austriake në sektorë strategjikë si energjia, bankat, ndërtimi, turizmi dhe teknologjia, të cilat, sipas saj, kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Ajo theksoi se prioritet i qeverisë mbetet nxitja e mëtejshme e sipërmarrjeve dhe investimeve austriake në vend.
Në përfundim, të dyja ministret ranë dakord të vijojnë dialogun strategjik dhe të hapin kapituj të rinj bashkëpunimi mes dy vendeve, duke matur progresin përmes objektivave të përbashkëta.
“Investimet austriake luajnë një rol kyç në sektorë të rëndësishëm si energjia, bankat, ndërtimi, turizmi dhe teknologjia, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë sonë. Prioritet absolut për Shqipërinë mbetet fuqizimi i mëtejshëm i investimeve dhe sipërmarrjeve austriake në sektorët kyç të ekonomisë sonë. Në përfundim, ramë dakord të vijojmë dialogun tonë strategjik në formate të ndryshme, të masim progresin me objektiva të përbashkëta dhe të hapim kapituj të rinj bashkëpunimi.”, tha Spiropali.
Ministrja shqiptare rikujtoi edhe fjalët e albanologut austriak Maksimilian Lambertz, i cili ka thënë se historia e Europës nuk do të jetë e plotë pa kapitullin e Shqipërisë.
Në takimin bilateral, ministrja Meinl-Reisinger theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën drejt afrimit me BE dhe rëndësinë e procesit të zgjerimit për të gjitha palët.
Spiropali nga ana tjetër deklaroi se “mbështetja parimore e Austrisë për integrimin europian të vendit, kontributi në jetëzimin e reformave kyçe, si dhe mbështetja për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, kanë bërë gjithmonë diferencën në rajonin tonë”./Periskopi/