Misteri i 1 milionëshit- Avokatët thonë se nuk patën asnjë provë për klientët e tyre
Në polemika me njëra tjetrën se u shkelën dispozita e munguan prova, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit u vunë në qendër me dy vendime të ndryshme që kanë të bëjnë me një masë të sigurisë që kishte kërkuar Prokurorja Shenaj Berisha për rastin e 1 milionëshit që u zbulua brenda një furgoni në një hapësirë të modifikuar brenda, në pikën kufitare në Merdarës.
Një furgon me një bunker të modifikuar brenda me 1 milion euro para kesh të vendosura në qese plastike, tre persona të dyshuar të arrestuar njëri nga ta zyrtar i Policisë së Shtetit në Shqipëri, një kërkesë për të cilën një gjykatë thotë se ka mungesë për të vërtetuar dyshimet, ngritën shumë pikëpyetje nëse rasti u neglizhua që në fillim.
Dogana e Kosovës më 24.02.2026 gjatë një kontrolli zbuloi 1 milion euro në Merdarë. Tre persona të dyshuar u arrestuan, njëri nga ta një zyrtar policor në Shqipëri. Pas 48 orëve ata u liruan në procedurë të rregullt që të hetohen në liri pasi Gjykata Themelore e Prishtinës vlerësoi se Prokuroria Speciale konkretisht prokurorja Berisha nuk kishte arritur që të vërtetonte se tre të dyshuarit e arrestuar kishin lidhje me ngjarjen.
Në Kallxo Pernime, në panel ishin edhe dy avokatët, Betim Shala avokat i policit të Shqipërisë, Aurel Kaziut dhe Fitim Bunjaku avokati i Edmir Ahmagjokaj edhe ky shtetas i Shqipërisë.
Shala tha se kishte bërë kundërshtimin për caktimin e masës së paraburgimit të cilën e kishte kërkuar prokurorja Shenaj Berisha.
“Vendimi i gjykatës nuk më befasoi ne si mbrojtje nuk kemi pas asnjë provë dhe ne nuk e kemi ditur a ekzistojnë ato prova. Dhe nuk ka mundur prokuroria ta vërtetojë dyshimin e bazuar, kështu që për neve profesionist nuk ka befasi”- thotë avokati Shala, derisa shton se klienti i tij në seancën që është mbajtur për masën e sigurisë ishte përshkruar si bashkudhëtar por jo roli specifik i tij.
“Kurrgjë, si bashkudhëtar, si person i cili ka qenë në automjetin për të cilin po pretendohet se janë gjetur ato mjete. Kështu që ai vetëm si bashkudhëtar në automjet”- shtoi tutje avokati Shala.
Tutje avokati Bunjaku thotë se në seancë ishin pajisur me kërkesën e prokurorisë.
“Sinqerisht, një kërkesë e departamentit special e cila thirret në dyshimin e bazuar e cila nuk arrin, të argumentojë dyshimin e bazuar se klienti im e ka kryer veprën penale, ka qenë befasi.. Klienti im ka qenë thjesht shofer, nuk ka qenë as në dijeni. Madje nuk e ka njohur mirë as zyrtarin policor”- shpjegon avokati i Edmir Ahmagjokaj.
Bunjaku thotë se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës që la të lirë dhe pa masë të sigurisë tre të dyshuarit ishte vendim që u bazua në atë se çka dërgoi prokuroria për rastin.
Tutje ndonëse shoferë të furgonit, avokatët shpjegojnë se vetura ka qenë e dikutjt tjetër jo e të dyshuarve.
Kryeredaktori i KALLXO.com Kreshnik Gashi kritikoi hapësirat që u lanë të lira për të hetuar që në nisje rastin e 1 milionëshit.
“Prej aeroplanit po shihet që një strukturë kriminale e cila qarkullon 1 milion euro në territorin e Kosovës kanë mbërri me i shti duart aq thellë në sistemin tonë juridik dhe në sistemin tonë të ndjekjes saqë njerëzit janë liruar para kohe, pa u përfunduar as procesi fillestar hetimor. Pra, dikush prej krimit të organizuar ka shumë rol në këtë prishje të krejt provave. Edhe si rrjedhojë sot njëri prej rasteve më të mëdha ka dështuar në ditën e parë të tij”- tha Gashi.
Sipas Gashit, ngecjet e para lidhen që nga këqyrja e vendit të ngjarjes.
“Nuk ka pasur thirrje të forenzikës policore, e dyta është komunikimi i shpejtë dhe emergjent me Republikën e Shqipërisë. Unë ende nuk di nëse autoritetet në Shqipëri kanë bërë një bastisje në shtëpitë e këtyre njerëzve”- tha Gashi tutje.
Në anën tjetër avokatët Shala e Bunjaku të dy thanë se nuk kanë marrë ndonjë informacion nga klientët e tyre se ka pasur ndonjë bastisje nga autoritetet policore në pronat e tyre.
Sipas kryeredaktorit të KALLXO.com, në këtë rast nuk shihet që përfshirja dhe koordinimi i institucioneve, policia, dogana, prokuroria është zhvilluar në mënyrën më të mirë.
“Prej asaj që di unë, policia është ftuar ndoshta një ditë me vonesë. Nëse nuk është influencë e krimit të organizuar, kjo është një papërgjegjshmëri totale për me hetu rastin. Deri më tani askush nuk ka dhënë llogari duhet me pas një hetim disiplinor”- përfundon Gashi.
Avokati Ardian Bajraktari i cili ka qenë edhe pjesë e grupit që hartoi Kodin e Procedurës Penale, thotë se kodi ka arritur standardet por nuk ka zbatim të mjaftueshëm.
“Barrën kryesore të përgjegjësisë për dështimin eventual të këtij rasti e ka prokuroria. Kur shohim me theks të veçantë kërkesa për masën e paraburgimit në jo pak raste ato hartohen në mënyrë shabllone prandaj gjykata pastaj nuk e ka të qartë me vendos”- thotë Bajraktari.
Tre shtetas të Shqipërisë, të arrestuar në rastin e sekuestrimit të rreth 1 milion eurove në pikën kufitare në Merdarë, aktualisht ndodhen në Shqipëri, pasi Gjykata e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Bëhet fjalë për pjesëtarin e Policisë së Shqipërisë, Aurel Kaziu, si dhe dy persona të tjerë, Ardit Laskën e Edmir Ahmagjokajn, të cilët dyshohen në lidhje me një shumë parash – rreth 1 milion euro, të cilat Policia dhe Dogana e Kosovës i gjetën të fshehura në një pjesë të fshehur në një furgon që po vinte nga Gjermania në Kosovë dhe që kishte destinacion Shqipërinë./Periskopi



