Mosfunksionimi i E-Albania, bllokohet aktiviteti i bizneseve, kaos dhe kosto për sipërmarrjet

Mosfunksionimi i E-Albania, bllokohet aktiviteti i bizneseve, kaos dhe kosto për sipërmarrjet

Prej disa ditësh sistemi e-Albania, platforma e qendërzuar e ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët, bizneset dhe administratën publike, është jashtë funksioni për shkak të një sulmi kibernetik që ka ardhur nga jashtë.

Teksa pothuajse çdo shërbim vitet e fundit kryhet online, sulmi ndaj E-Albania po shkakton vështirësi dhe bllokim të aktivitetit për shumë sipërmarrje në vend, duke krijuar kaos dhe kosto për sipërmarrjet.

Biznese të shumta janë ankuar pranë Monitor se ata tashmë nuk mund të realizojnë shumë shërbime.

Shqetësimi kryesor është dorëzimi i bilanceve. 31 korriku është afati i fundit i dorëzimit të bilancit të vitit 2021, që bëhet përmes sistemit të E-Albania. Që prej ditës së shtunë askush nuk është në gjendje të dorëzojë bilancin, por edhe më herët subjektet raportuan që kishin vështirësi në këtë proces. Gjoba për mosdorëzim bilanci është rritur këtë vit në 60 mijë lekë, nga 15 mijë lekë që ishte më parë. Janë gati 20 mijë subjekte që kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e bilanceve vjetore.

Faqja e tatimeve është funksionale që prej të dielës në drekë për tatimpaguesit. Bizneset mund të realizojnë edhe fiskalizimin e faturave, përveç të vetëpunësuarve që punon me sistemin self care (pa pagesë), i cili është i lidhur me e-Albania. Si rrjedhojë të vetëpunësuarit nuk mund të lëshojnë fatura. Prej tre ditësh, Denada, që ka një subjekt të vogël shërbimesh, nuk po arrin të lëshojë faturë, çka i ka shkaktuar probleme të shumta për vijimësinë normale të aktivitetit.

Bizneset nuk arrijnë që të bëjnë as rinovimin vjetor të certifikatës elektronike dhe as të nënshkrimit elektronik. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm për sektorin fason, pasi nuk bëjnë dot as eksporte as importe.

Nëse subjektit i ka mbaruar afati një vjeçar i certifikatës elektronike nuk bën rinovimin dhe si rrjedhojë nuk pret dot fatura.

Prej disa ditësh nuk mund të hapësh as biznes të ri, as nuk e mbyll, as nuk e kalon dot në status pasiv, as nuk bën dot ndryshim të kuotave të kapitalit, shtimin e ortakëve, ndryshimin e administratorit.

Nuk bëjmë dot ndryshimin e kuotave për pronarët përfituese. Shoqëritë e reja që janë krijuar nuk bëjnë dot regjistrimin e pronarëve përfituese

Bizneset nuk marrim dot vërtetime që nuk ka detyrime tatimore ose të bashkisë apo çfarëdolloj vërtetimi tjetër, si pagesa e sigurimeve shoqërore.

Nuk dorëzohen dot raportet për punëmarrësi për përfitimet afatshkurta dhe afatgjata, si barrëlindjet. Ekonomistët pohojnë se kur u kanë kërkuar tatimeve që tu lëshojnë vërtetimin fizikisht siç bëhej më parë, këta të fundit u janë përgjigjur se ata nuk arrijnë që të kenë akses në sistem dhe si rrjedhojë e kanë të pamundur që tu japin vërtetim fizik.

Nuk është e mundur të merren leje ndërtimi.

Bizneset nuk marrin dot autorizim vjetor për regjim të përpunimit aktiv, i cili duhet për të bërë vazhdimin e aktivitetit kur kalon një vit.

Të huajt nuk aplikojnë dot për leje pune dhe ata që e kanë në proces nuk e marrin dot aprovimin, për të vijuar me lejen e qëndrimit, që gjithashtu nuk e marrin dot.

Edhe individët nuk marrin shumë shërbime

Individët nuk kryejnë dot procedurat pranë kadastrës lidhur me pronën çka do të thotë aplikime të ndryshme për regjistrim titull pronësie, shitblerje.

Po kështu nuk kontrollojnë dot gjobat si dhe pagesën e detyrimeve online për taksat vjetore.

Nuk mund të marrin vërtetim për kontributet, certifikatë individuale apo familjare (online), por mund ta marrin fizikisht. Nuk merret dot as certifikata e vaksinimit. /Monitor.al

Shpërndaje në: