MPJD reagon ndaj arrestimit të qytetarit kosovar në Serbi, bën thirrje për shmangie të udhëtimeve

MPJD reagon ndaj arrestimit të qytetarit kosovar në Serbi, bën thirrje për shmangie të udhëtimeve

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e arrestimit të qytetarit Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

MPJD e ka cilësuar këtë ndalim si arbitrar dhe të paprovokuar, duke e quajtur një shembull tjetër të praktikave destruktive të autoriteteve serbe.

Në reagimin zyrtar, MPJD njofton se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është angazhuar menjëherë përmes kanaleve diplomatike për të marrë informacione të plota mbi rastin dhe ka kërkuar zyrtarisht sqarime nga autoritetet serbe për arsyet e ndalimit të z. Preniqi.

Rasti është përcjellë gjithashtu te Delegacioni i BE-së në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it. MPJD ka bërë të ditur se në rast të vendosjes së masës së paraburgimit ndaj qytetarit Preniqi, do të kërkohet vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij.

 

Në fund të njoftimit, MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë për të garantuar sigurinë e tyre, ndërsa ka ftuar Bashkësinë Ndërkombëtare që të reagojë ndaj këtyre veprimeve të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut./Periskopi/

Shpërndaje në: