NATO-ja po vdes

NATO-ja po vdes

Nëse Evropa nuk do të nisë të mendojë për veten e saj si një fuqi gjeopolitike, dhe të marrë përgjegjësinë për sigurinë e vet, argumenton Makron, ajo “nuk do të ketë më nën kontroll fatin e saj”. Dhjetorin e kaluar, NATO përkujtoi 70 vitet e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dyja anët e Atlantikut. Por çarjet brenda Aleancës po thellohen, duke ngritur dyshime serioze nëse ajo do të arrijë të ekzistojë për të kremtuar 75-vjetorin e vet. Koha që Evropa të zhvillojë sistemet dhe aftësitë e saj mbrojtëse është pikërisht tani.

NATO mund të jetë “aleanca më e suksesshme në histori”, sikurse pretendon Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Por ajo mund të jetë gjithashtu në prag të dështimit. Pas disa viteve të trazuara, gjatë të cilave presidenti amerikan Donald Trump i ka kthyer gjithnjë e më shumë shpinën NATO-s, tensionet midis Francës dhe Turqisë janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke treguar sa e brishtë është bërë aleanca.

Përplasja Francë-Turqi nisi në mesin e qershorit, kur një fregatë e marinës franceze nën komandën e NATO-s në Mesdhe, tentoi të inspektonte një anije mallrash, e dyshuar se po shkelte embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara në Libi.

Franca pretendoi se 3 anije turke që e shoqëronin anijen e mallrave, ishin “jashtëzakonisht agresive” ndaj fregatës së saj, duke ndezur 3 herë dritat e radarit të tyre, një sinjal që tregoi rrezikun e degradimit të situatës. Turqia e hodhi poshtë pretendimin e Francës, duke deklaruar se ishte fregata franceze, ajo që po ngacmonte anijet e saj.

Sido që të këtë qenë realisht puna, fakt është se dy aleatë të NATO-s ishin shumë pranë shkëmbimit të zjarrit mes tyre, në kontekstin e një misioni të NATO-s. Dhe kjo është një krizë e re për Aleancën, e cila mund të paralajmërojë shpërbërjen e saj.

Lordi Hastings Ismej, Sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s, tha dikur se misioni i Aleancës ishte “t’i mbante rusët jashtë Evropës Perëndimore, amerikanët brenda, dhe gjermanët të gjunjëzuar”. Padyshim, dinamika ndryshoi gjatë dekadave që pasuan, dhe sidomos marrëdhëniet me Gjermaninë.

Por baza e gjerë e bashkëpunimit – një kërcënim i zakonshëm i perceptuar, udhëheqja e fortë amerikane, dhe një ndjenjë e qëllimit të përbashkët – mbeti e njëjtë. Pa udhëheqjen e SHBA-së, e gjithë struktura rrezikon që të shembet.

Nuk është rastësi që herën e fundit kur 2 aleatë të NATO-s iu afruan një lufte midis tyre – gjatë pushtimit turk të Qipros në vitin 1974 – SHBA ishte e zënë me Luftën e Vietnamit. Në fakt, përplasja midis Turqisë dhe Francës ndodhi vetëm disa ditë pasi u zbulua se Trump kishte vendosur, pa asnjë konsultim paraprak me aleatët e Amerikës në NATO, tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga Gjermania.

Gjermania mund të mos jetë më në vijën e parë të frontit si gjatë Luftës së Ftohtë, por forcat amerikane që ndodhen atje shërbejnë ende si një frenues të fuqishëm i agresionit rus përgjatë krahut lindor të NATO-s. Duke i tërhequr ato forca, Trump ka dërguar një mesazh të rëndësishëm për aleatët:garantimi i sigurisë evropiane, nuk është më prioriteti kryesor i SHBA-së.

Ndërsa largimi i Amerikës nga Evropa është përshpejtuar nën administratën Trump, ai filloi që gjatë një dekade më parë. Në vitin 2011, kur paraardhësi i Trumpit, Barak Obama, po kërkonte “kthimin e vëmendjes drejt Azisë”, Sekretari i atëhershëm amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejt paralajmëroi që nëse NATO-ja nuk do e dëshmonte veten të rëndësishme, SHBA mund ta humbiste interesin ndaj aleancës.

Aleanca nuk bëri asgjë të tillë:deri në dhjetorin e vitit të shkuar, deklaratat e saj në samitin e fundit nuk arritën t’i adresojnë sfidat e ngritura nga rritja e Kinës. Dhe ndërkohë, SHBA-ja e kishte humbur interesin. Dhe tanimë, nën Trumpin, ky mosinteresim është shndërruar në një armiqësi të hapur.

Pa SHBA-në si lidere, aleatët e NATO-s kanë filluar të fokusohen në drejtime të ndryshme. Dhe shembulli më i qartë është Turqia. Përpara grindjes së fundit me Francën, Turqia bleu një sistem rus të mbrojtjes anti-raketore, S-400, me gjithë kundërshtimet e SHBA-së.

Për më tepër, Ankaraja ka ndërhyrë në Libi, duke i siguruar mbështetje ajrore, armë dhe luftëtarë Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me qendër në Tripoli. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duket i sigurt se marrëdhënia e tij e drejtpërdrejtë me Trumpin, do ta mbrojë atë nga pasojat e pritshme për sjelljen e tij.

Vendimi i Trumpit për të mos vendosur sanksione për shkak të blerjes së armatimeve ruse, përtej reduktimit të pjesëmarrjes së Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35, duket se e justifikon arsyetimin e Erdoganit. Por Turqia nuk është e vetmja e përfshirë në Libi.

Edhe Franca ka bërë të njëjtën gjë. Duke ofruar mbështetje ushtarake për gjeneralin e mbështetur nga Rusia, Khalifa Haftar, që kontrollon Libinë lindore, për të luftuar militantët islamikë, Franca është rreshtuar de fakto kundër aleatëve të saj të NATO-s. Ndërsa presidenti Emanuel Makron, i mohon akuzat se po e mbështet Haftarin në luftën civile, ai shprehu kohët e fundit mbështetje për premtimin e Egjiptit për të ndërhyrë ushtarakisht kundër Turqisë, për të cilën ai thotë se ka një “përgjegjësi penale” për veprimet e saj në atë vend.

Ndërsa tensionet me Turqinë po përshkallëzohen, Franca është më këmbëngulëse se kurrë se një qasje evropiane për sigurinë dhe mbrojtjen – që do të drejtohej de fakto nga Franca – është më se jetike. Fakti që mbështetja popullore ndaj Makronit brenda Francës po bie, vetëm sa e shton ndjenjën e tij të urgjencës.

Lënë mënjanë motivimet politike, Makron e ka thënë me zë të lartë atë që disa të tjerë e kanë pranuar me gjysmë zëri:NATO po përjeton një lloj “vdekje celebrale” për shkak të angazhimit të dyshimtë të Trumpit për të mbrojtur aleatët e Amerikës.

Duke pasur parasysh që distancimi i SHBA-së nga NATO, ka nisur shumë kohë përpara Trumpit, ka pak arsye për të besuar se kjo prirje do të kthehet pas, megjithëse mund të ngadalësohet nëse ai i humbet zgjedhjet e nëntorit.

Nëse Evropa nuk do të nisë të mendojë për veten e saj si një fuqi gjeopolitike, dhe të marrë përgjegjësinë për sigurinë e vet, argumenton Makron, ajo “nuk do të ketë më nën kontroll fatin e saj”. Dhjetorin e kaluar, NATO përkujtoi 70 vitet e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në të dyja anët e Atlantikut.

Por çarjet brenda Aleancës po thellohen, duke ngritur dyshime serioze nëse ajo do të arrijë të ekzistojë për të kremtuar 75-vjetorin e vet. Koha që Evropa të zhvillojë sistemet dhe aftësitë e saj mbrojtëse është pikërisht tani.

Shënim: Ana Palacio, ka qenë Ministre e Jashtme e Spanjës / “Project Syndicate” – Bota.al

Shpërndaje në: