Në kërkim të bukës, gjen vdekjen!

Në kërkim të bukës, gjen vdekjen!

Varfëria në shtetin e Kosovë është “epidemia” më vrastare sot. Ajo vret përditë, heshtur dhe pa u ndalë!

Varfëria po na vret, në kërkim të bukës, në kërkim të shëndetësisë, në kërkim të punës, e në kërkim të sigurisë!

Qeveritë e Kosovës asnjëherë nuk ju qasen seriozisht luftimit të varfërisë. Papunësia vazhdimisht është e lartë, derisa pasiguria në punë edhe aty ku ka ndonjë vend pune është edhe më e lart.

Fatkeqësisht, sot 18 vite pas përfundimit të luftës ne ende vdesim për bukën e gojës!  Rasti më i fundit është i Elbasan Isufit të riut 23 vjeçar që u nda nga jeta në kërkim të saj. U nda nga jeta në kërkim të ndonjë kilogrami hekur  që mblidhte në deponinë e Gjilanit dhe pastaj e shiste që të siguroj edhe një ditë jete me dinjitet!

Ai donte të punoj, të ushqehej dhe ti gëzohet ditës së re. Por dita e 30 qershorit ishte dita e fundit ku ai i gëzohej që po zbardhte!

Elbasanin nuk e kam njohur personalisht, por si një bashkëqytetar i tij, dua të solidarizohem me familjen e tij  dhe te kërkoj përgjegjësi duke e konstatuar  se atë e vrau shteti i Kosovës.

E vrau papërgjegjësia institucionale!

Shteti i Kosovës  kurrë nuk u kujdes për një punë për atë, për mirëqenien e tij dhe të familjes së tij. E la “jetim” i tha gjindu se ne kemi halle tjera. Kemi hallin e kullave të shtrenjta të dukagjinit, gurthyesve të Drenicës, autostradave që kushedi kur përfundojnë dhe sa miliarda duhet ti paguam për ato, BMW –ve, Majamit e Dubait, fshatit ndërkombëtarë dhe rrethimit të tij, etj etj. Pra hallet e Qeverisë nuk janë hallet e popullit. Ka një ndarje të thellë Popull-Qeveri.

Prandaj Elbasanin e vramë!!!

Elbasanin e vrau policia e Kosovës, përkundër që disa herë kishte pas kërkesa për sigurinë e deponisë ata nuk kishin reaguar seriozisht e as profesionalisht.

Elbasanin e vrau shoqëria që ka vendosur  duart në bel dhe bënë sehir nën ombrellën idiote të asaj që mua s’më intereson çka ndodh përtej vetes dhe familjes sime, të tjerët duhet të merren me ketë apo atë problem!

Po, po e vramë Elbasanin dhe kushedi sa të tjerë që përditë vdesin gjithandej Kosovës si rezultat i një shteti të shkokërdhuar nga krimi e korrupsioni.

Nuk dua të zgjatem, nuk ka vend më për të shtjelluar problemin e varfërisë, vetëm kërkojë përgjegjësi nga institucionet.

Fillimisht dorëheqjen e zinxhirit komandues policor të lidhur me papërgjegjësinë e treguar, pastaj përgjegjësinë e Komunës së Gjilanit për rolin e saj, përgjegjësinë e Qeverisë dhe Qeverive që na e bënë Kosovën vend ku asnjë mëngjes nuk na gëzon më. Me një fjalë një vend që të vret!

 

 

Shpërndaje në: