Në kulmin e pandemisë Kurti e Vitia takohen me Erion Veliajn, flasin edhe për organizime kulturore

Në kulmin e pandemisë Kurti e Vitia takohen me Erion Veliajn, flasin edhe për organizime kulturore

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njëherit kandidat për kryetar të Prishtinës, kanë pritur sot në takim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, me të cilin kanë diskutuar ndër të tjera edhe për organizime kulturore që në vitin e ardhshëm do të mbahen në dy kryeqytetet. Ky takim me Veliajn si udhëheqës i Tiranës vjen në kohën kur Kosova po përballet me një valë të re të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e variantit të ri Delta.

“U bisedua edhe për ngjarjet kulturore që do të mbahen në kryeqytetet e të dy shteteve vitin e ardhshëm. Prishtina do të jetë nikoqire e biennales “Manifesta”, ndërsa kryeqyteti shqiptar i aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Kryebashkiaku Veliaj tha se këto dy ngjarje janë mundësi e mirë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Media e Qeverisë.

Në këtë takim me Veliajn kanë diskutuar edhe për pandeminë dhe ecurinë e procesit të vaksinimit në të dy shtetet.

Siç thuhet në komunikatë “Kryebashkiaku Veliaj u interesua për efektin e pandemisë në ekonomi, duke e vlerësuar rolin dhe vullnetin e diasporës së Kosovës për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik”.

Derisa Kurti i është përgjigjur “se ekonomia ka filluar të shënojë ngritje dhe sipas projeksioneve rritja ekonomike do të arrijë në 7.9 për qind të bruto produktit vendor. Tha se është shënuar progres edhe në eksporte dhe mbledhje të tatimeve”.

Ky takim me Veliajn vjen në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të garojë për të parin e Prishtinës. Ministri i Shëndetësisë ka thënë se do të bëjë maksimunin deri në tetor kur edhe do të futet në zgjedhje lokale.

Megjithatë gjendja pandemike në vend është rënduar jashtëzakonisht. Vetëm brenda 24 orëve të fundit kanë vdekur 18 persona si pasojë e COVID-19 dhe janë mbi 2 mijë raste të reja të infektimeve.

Raste aktive me COVID-19 janë afro 25 mijë.

Shpërndaje në: