Në mars merret vendimi për çmimin e ri të energjisë, Abazi: Më shumë varfëri për qytetarët e Kosovës

Në mars merret vendimi për çmimin e ri të energjisë, Abazi: Më shumë varfëri për qytetarët e Kosovës

Në fillimin e vitit 2026, qytetarët e Kosovës do të përballen me shumë gjasë me rritje tjetër të cmimit të rrymës. Anipse në vitin që po lëmë pas, pati protestë kundër shtrenjtimit të rrymës, kjo protestë ka hasur në vesh të shurdhër të institucioneve gjegjëse, raporton Periskopi.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar se në muajin mars të vitit 2026 do të merret vendimi për çmimet e reja të energjisë elektrike, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në muajin prill të po atij viti.

Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në një prononcim për Periskopin, tha se rishikimi i tarifave të energjisë elektrike nga ana e ZRRE-së është proces i rregullt vjetor. Ai vlerëson se gjasat për një rritje të re të çmimit të energjisë janë reale.

“Në mars pritet rishikimi i rregullt tarifor, i cili realizohet çdo vit nga ZRRE. Trendët e fundit tregojnë se ekziston një mundësi reale për rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Kjo vjen si pasojë e mungesës së investimeve në efiçencën e energjisë dhe në kapacitetet e reja prodhuese vendore, gjë që e ka ngarkuar sistemin dhe ka rritur varësinë nga importi i energjisë elektrike, i cili ka rezultuar jashtëzakonisht i shtrenjtë”, ka thënë Abazi.

Ai ka kërkuar që të hetohet nëse ka pasur skema korruptive dhe nëse çmimi i energjisë elektrike reflekton realisht koston e sistemit, përfshirë importin.

“Kjo duhet parë në kontekstin e çmimeve anormale, sidomos të kostove të transportit të energjisë, për të cilat mendojmë se duhet të hetohet nëse ka pasur skema korruptive. Duhet të përcaktohet nëse çmimi i energjisë reflekton realisht koston e sistemit apo nëse po mbulohen skema kriminale të importit të energjisë elektrike, për të cilat fjalën e fundit duhet ta japin organet e zbatimit të ligjit”, ka potencuar ai.

Sipas Abazit, çdo shtrenjtim i ri i energjisë elektrike do të nënkuptonte rritje të varfërisë energjetike për qytetarët e Kosovës.

“Një shtrenjtim i ri do të sillte më shumë varfëri energjetike dhe rrezikojmë të zhytemi në një situatë nga e cila do të jetë e vështirë të dalim, pa ndërhyrje të mëdha të shtetit përmes skemave sociale dhe subvencioneve për konsumatorët më të cenuar”, ka thënë ai.

Abazi ka theksuar se sistemi energjetik po vuan prej vitesh nga mungesa e investimeve, veçanërisht në burimet e ripërtitshme të energjisë, të cilat do të rrisnin fleksibilitetin dhe kapacitetin prodhues vendor.

“Investimet në efiçencë janë të pamjaftueshme, futja e burimeve të reja të ripërtitshme po ecën shumë ngadalë, ndërsa jemi duke u varur nga kapacitete të vjetruara të prodhimit dhe nga importi, i cili shpesh del jashtë kontrollit dhe na kushton shumë”, ka shtuar ai.

Në fund, Abazi ka thënë se nuk mund të priten ulje çmimesh pa një ndërhyrje të shpejtë të shtetit.

“Rruga e vetme është investimi serioz në efiçencë energjetike, në burime të ripërtitshme dhe në rritjen e kapaciteteve vetëprodhuese të konsumatorëve. Tranzicioni energjetik duhet të ndodhë, por me hapa shumë më të shpejtë”, ka theksuar ai.

Ai ka sqaruar se rishikimi i marsit do të përfshijë analizën e të gjitha kostove të kompanive të energjisë dhe se çmimi final do të jetë rezultat i një kombinimi faktorësh.

“Ky rishikimi i marsit është rishikim i rregullt i cili do t’i shikoj të gjitha kostot e kompanive të energjisë dhe është le të themi se çmimi që përcaktohet në fund është rezultat i një kombinimi të një sërë faktorëve përfshirë edhe kapacitet e ZRRE-së për t’i monitoruar këto kompani për të parë nëse të dhënat të cilat i paraqesin këto kompani në ZRRE janë të sakta dhe janë kredibile apo jo dhe varet nga kapaciteti i përgjithshëm i sistemit për t’i mbuluar të gjitha kërkesat dhe të gjitha kostot që ekzistojnë”, tha Abazi./Periskopi/

Shpërndaje në: