Në mungesë të dëshmitarëve, dështon seanca për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës
Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte, Shaqir Lutvija, për shkak të mungesës së dëshmitarëve.
Sipas aktakuzës, Lutvija akuzohet se, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte gjatë periudhës së luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Periskopi.
Gjykatësi i rastit, Kujtim Krasniqi, bëri të ditur se për seancën e sotme ishin paraparë të dëgjoheshin dëshmitarët Agron Hoti, Ukë Kolgeci dhe Hasan Shala. Ata kishin pranuar ftesat në mënyrë të rregullt, por nuk kishin njoftuar Gjykatën për mungesën e tyre.
Prokurori i çështjes, Ilir Morina, propozoi që të lexohej dëshmia e dëshmitarit Qemajl Kollari, me arsyetimin se ajo ishte marrë në përputhje me dispozitat ligjore, në prani të të akuzuarit Lutvija dhe avokates së tij, Jovana Filipoviq, të cilët kishin pasur mundësi të parashtrojnë pyetje.
Nga ana e saj, avokatja Filipoviq kundërshtoi leximin e kësaj dëshmie, duke theksuar se pas dëshmisë në PSRK, dëshmitari Kollari ka shkuar në vendin e ngjarjes me njësinë e forenzikës. Ajo kërkoi që dëshmitari të paraqitet fizikisht për të sqaruar përmbajtjen e fotografive që ndodhen në shkresat e lëndës, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për vërtetimin e plotë të fakteve nga trupi gjykues.
Prokurori Morina replikoi se pjesa e përfshirë në ekspertizën forenzike nuk është relevante për këtë shqyrtim gjyqësor. Ai theksoi se video-incizimi i vendit të ngjarjes është bërë në vitin 2022–2023, në stacionin policor, pra rreth 25 vite pas ngjarjes. Ai e la në diskrecion të Gjykatës vendimin për dëgjimin e dëshmitarit.
Sa i përket dëshmitarit Agron Hoti, prokurori Morina tha se tërhiqet nga dëgjimi i tij, pasi që, pas shqyrtimit të deklaratës së tij, është konstatuar se ai nuk e ka identifikuar të akuzuarin Lutvija.
Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.
Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.
Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së./Periskopi



