Nehammer letër Kurtit: E mbështesim Kosovën në rrugën drejt bashkësisë ndërkombëtare

Nehammer letër Kurtit: E mbështesim Kosovën në rrugën drejt bashkësisë ndërkombëtare

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar një letër falënderimi nga Karl Nehammer, kancerali austriak.

Kjo pas urimit që i pari i ekzekutivit kosovar ia pati dërguar Nehammerit me rastin e zgjedhjes kancelar federal i Austrisë.

Austriaku ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën dhe ka shtuar se për të do të jetë çështje e rëndësishme që të thellojë më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Forumi ekonomik Kosovë-Austri, të cilit i jeni referuar, do të jetë një mundësi e mirë për ta vënë në praktikë këtë angazhim edhe në fushën ekonomike“, është shprehur kancelari austriak.

Kancelari duke kujtuar një vizitë pune më 28 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, atëkohë si ministër i Punëve të Brendshme, thotë se ka pasur mundësi të shoh nga afër dhe të bindet për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet vendeve në fushën e sigurisë së brendshme dhe menaxhimit të migracionit.

“Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në konsolidimin e pozitës së saj si anëtare e bashkësisë ndërkombëtare dhe në ndjekjen e rrugës së saj drejt anëtarësimit. Në këtë proces, vazhdimi i vendosur i dialogut për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë rëndësi të veçantë”, thuhet tutje në letër.

Letra e plotë në shqip:

I nderuar z.Kryeministër!

Me shumë kënaqësi kam pranuar letrën tuaj të urimit me rastin e emërimit tim Kancelar Federal i Republikës së Austrisë.

Për mua si Kancelar do të jetë një çështje e rëndësishme të thelloj më tej marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Forumi ekonomik Kosovë-Austri, të cilit i jeni referuar, do të jetë një mundësi e mirë për ta vënë në praktikë këtë angazhim edhe në fushën ekonomike

Gjatë një vizite pune në Prishtinë më 28 shtator të vitit të kaluar, në cilësinë time si Ministër Federal i Punëve të Brendshme në atë kohë, pata mundësi të shoh nga afër dhe të bindem për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë së brendshme dhe menaxhimit të migracionit. Kosova është partner i dëshmuar dhe i besueshëm në këtë aspekt.

Austria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në konsolidimin e pozitës së saj si anëtare e bashkësisë ndërkombëtare dhe në ndjekjen e rrugës së saj drejt anëtarësimit. Në këtë proces, vazhdimi i vendosur i dialogut për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë rëndësi të veçantë.

Shpërndaje në: