Nekrologji: Fehmi Agani

Nekrologji: Fehmi Agani

Kjo nekrologji e përkthyer nga Periskopi është publikuar më 19 maj 1999 në gazetën prestigjioze britanike The Independent, trembëdhjetë ditë pas vrasjes së Fehmi Aganit.

NËSE DIKUSH në Kosovë personifikonte paqen dhe pajtimin përmes dialogut, ai ishte Fehmi Agani, lideri shqiptar që u vra dy javë më parë, siç pretendohet nga policia serbe. Ai ishte politikan që doli në shesh vitet e fundit si një kërkues i dialogut të padhunshëm mes shqiptarëve dhe serbëve.

Ai ka lindur në Gjakovë më 1932, dhe ishte ndër intelektualët më të shquar shqiptar të gjeneratës së tij. Ai ishte një shkrimtar dhe mësues i vlerësuar, fliste në mënyrë të shkëlqyer serbisht dhe kishte studiuar në Universitetin e Beogradit ku mori doktoraturën në sociologji.

Ndërsa Tito filloi emancipimin e shqiptarëve dhe t’i integronte brenda shoqërisë jugosllave në vitet ’60 dhe ’70, Agani ishte në ballë të lëvizjes kulturore shqiptare. Ai u bë kreu i Institutit Albanologjik të Prishtinës më 1967 dhe dekan i Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës më vonë. Ishte shkarkuar më 1981, bashkë me shumë kolegë të tjerë, në një spastrim të thellë që ndodhi në shoqërinë kosovare shkaku i protestave studentore të atij viti.

Pavarësisht që kishte vuajtur personalisht në duart e shtetit serb për shkak të origjinës së tij etnike, Agani kishte refuzuar të merrte një qëndrim të ashpër ndaj tyre. Ai ishte një prej themeluesve dhe zëvendës-president i Lidhjes Demokratiek të Kosovës [LDK], partia e parë politike e kosovarëve para luftës në dhjetor të vitit 1989. Për më shumë, ai mbeti deri në fund një prej negociatorëve më racional dhe energjikë, gjithnjë i gatshëm për bisedime me Beogradin dhe me figurat më ekstreme të politikës së saj, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje paqësore.

Agani gëzonte besim dhe respekt madje edhe mes oponentëve të tij politikë. Ai merrte akuza nga shqiptarët veç pse diskutonte me Beogradin se po i tradhtonte interesat kombëtare, e megjithatë nuk zmbrapsej. Më 1996, bashkë me dy kolegë, ai nënshkroi një marrëveshje që siguronte kthimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë në ndërtesat shkollore.

Agani i kishte dallimet e tij me Ibrahim Rugovën, presidentin paqësor të LDK-së, duke besuar që partia duhej të ishte më pro-aktive. Kur lufta shpërtheu në shkurtin e 1998-s në Kosovë, Agani kishte dhënë dorëheqje si zëvendëspresident i LDK-së. Ai megjithatë mbeti këshilltar i Rugovës dhe anëtar i çdo ekipi negociator, ashtu si delegat kyq në bisedimet ndërkombëtare në Rambouillet në shkurt dhe mars të këtij viti.

Ai kurrë nuk lodhej së udhëtuari për në Beograd, dhe së takuari – qoftë në mënyrë sekrete apo publike – me këdo që mendonte se do të kontribuonte në fundin e asaj që e quante si ‘çmenduri’ në Kosovë. As nuk i vinte marre së kthyeri vazhdimisht që të fliste me Adem Demaçin, përfaqësuesin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK], që ta bindte që ky grupacion ushtarako-politik të pranonte planin për paqe të Rambouillet-së.

Agani besonte në planin e paqes që e ofronte Rambouillet-ja, të cilën e shihte si fillestaren e procesit të çlirimit të Kosovës nga tirania e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq.

Më herët, bashkë me Dushan Janjiqin, serb, Agani e kishte themeluar Forumin për Marrëdhënie Etnike në përpjekje që të vendoste një dialog shqiptaro-serb. Janjiqi e përshkruante Aganin si një “negociator të durueshëm e persistent” dhe paralajmëroi që vrasja e tij “kërkon të intimidojë të gjithë ata që duan dialog dhe pajtim serbo-shqiptar, dhe se dërgon mesazhin që ne nuk mund të jetojmë bashkë”.

Fehmi Agani kishte mbetur në Prishtinë pasi Nato i kishte filluar bombardimet në Jugosllavi, duke shpresuar që kjo fushatë nuk do të zgjaste shumë. Megjithëse në një prej konferencave të para të kësaj aleance raportohej se ai dhe pesë shqiptarë të tjerë të njohur ishin ekzekutuar [mes tyre edhe Baton Haxhiu], ai i shpëtoi dëbimit nga shtëpia në lagjen e Dragodanit dhe u fsheh për pesë javë në shtëpi të ndryshme të qytetit bashkë me djalin e tij Shpendin dhe një tjetër intelektual shqiptar, Rexhep Ismailin. Duke u fshehur, ai nisi të shkruante një libër.

Sipas Ismailit: “Ne duhej të lëviznim nga shtëpia në shtëpi sepse forcat serbe po kërkonin shqiptarë të famshëm. Javën e kaluar edhe unë ika sepse u bë e pamundur që të rrija. Ai [Agani] nuk donte që të ikte.” Por situata u bë tepër e rrezikshme dhe ishte koha që të ikje.

Me gruan e tij Sadijen dhe djalin e tij, Agani provoi të ikte me një prej trenave për në kufirin me Maqedonisë që përdorej nga forcat serbe për t’i përzënë shqiptarët. Por, sipas raportimeve dhe anëtarëve të familjes, treni ishte kthyer pas në kufirin me Bllacën pasi Maqedonia përkohësisht e kishte mbyllur kufirin.

Agani ishte larguar nga treni sapo kishte nisur të kthehej në Prishtinë, ditën e nesërme. Më 8 maj, televizioni serb kishte njoftuar se trupi i tij ishte gjetur afër një fshati në Lipjan, dhe që ishte vrarë nga UÇK-ja – pretendime që familja e tij i mohoi. Edhe qeveritë perëndimore kishin shprehur skepticizëm për raportimet e mediumeve serbe. Ndërkohë, liderët e UÇK-së po ashtu i kishin akuzuar forcat serbe për vrasjen e politikanit të moshuar. /Periskopi

Shpërndaje në: