Netanyahu: Autoriteti Palestinez nuk do të marrë pjesë në qeverisjen e Rripit të Gazës
Autoriteti Palestinez nuk do të marrë pjesë “në asnjë rrethanë” në qeverisjen e Rripit të Gazës pas luftës, i tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të hënën të dërguarit të SHBA-së në vizitë, Steve Witkoff.
“Kryeministri e bëri të qartë se Autoriteti Palestinez nuk do të përfshihet në asnjë rrethanë”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë pas takimit mes të dyve.
Roli i Autoritetit Palestinez është i paqartë
Sipas planit të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, roli i Autoritetit Palestinez, i cili sundoi territorin derisa Hamasi mori kontrollin në vitin 2007, ka mbetur i paqartë.
Enklava pritet të administrohet përkohësisht nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës – i përbërë nga 15 teknokratë palestinezë dhe nën autoritetin e “Këshillit të Paqes” të kryesuar nga Donald Trump – derisa Autoriteti Palestinez, i udhëhequr nga Mahmoud Abbas, të zbatojë një program reformash.
Plani i Trump, nga ana tjetër, përjashton çdo rol për Hamasin ose fraksione të tjera të armatosura palestineze.
Pas një vizite të mëparshme në Jerusalem më 24 janar, Witkoff u takua përsëri me Netanyahun sot, një ditë pas rihapjes shumë të kufizuar të pikës kufitare të Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
“Kërkesë absolute për çarmatimin e Hamasit”
Gjatë takimit të tyre, Netanyahu “përsëriti kërkesën absolute për çarmatimin e Hamasit, demilitarizimin e Rripit të Gazës dhe arritjen e qëllimeve të luftës përpara rindërtimit” të atij territori, sipas zyrës së tij.
Të hënën, zyra e kryeministrit izraelit shprehu keqardhje që logoja e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) përmbante një simbol të Autoritetit Palestinez, duke nënkuptuar një lidhje midis të dyjave./Periskopi/



