New York Times: FDA lidh vdekjen e 10 fëmijëve me vaksinat e COVID-19
Një raport i brendshëm i FDA-së (U.S. Food and Drug Administration) ka ndezur debat të gjerë në SHBA pasi lidh vdekjen e të paktën 10 fëmijëve me vaksinimin kundër COVID-19. Sipas një artikulli të publikuar nga The New York Times, memorandumi është hartuar nga drejtori i çështjeve shkencore të FDA-së, Vinay Prasad, dhe synon vlerësimin e rasteve të vdekshmërisë të regjistruara pas vaksinimit gjatë viteve 2021–2024, përcjell A2 CNN.
Dokumenti sugjeron se 10 prej rasteve kanë “lidhje të mundshme” me miokarditin e shkaktuar nga vaksina, megjithëse nuk jepen të dhëna për moshën, gjendjen shëndetësore apo llojin e vaksinës së përdorur.
Komisioneri i FDA-së, Marty Makary, e konfirmoi informacionin gjatë një daljeje televizive, duke deklaruar se “10 vdekje tek fëmijët lidhen me vaksinat COVID”, bazuar në të dhënat e administratës Biden. Megjithatë, ai theksoi se vaksina ka qenë mjaft efektive për grupmoshat e rrezikuara dhe të moshuarit, ndërsa për fëmijët situata kërkon rishikim më të thelluar.
Zbulimet kanë sjellë reagime të menjëhershme në politikën e shëndetit publik. Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka kufizuar aksesin e vaksinave COVID vetëm për personat mbi 65 vjeç dhe për individët me rrezik të lartë, një ndryshim i madh krahasuar me rekomandimet e administratave të mëparshme. FDA ka paralajmëruar gjithashtu rritje të rigorozitetit në miratimin e vaksinave, duke përfshirë studime më të mëdha klinike, verifikime më të thella të efekteve anësore dhe shmangien e aprovimeve të përshpejtuara pa prova të mjaftueshme për fëmijët.
Ndërkohë, CDC (Centers for Disease Control and Prevention) pritet të shqyrtojë rastet javën e ardhshme, çka pritet të përcaktojë nëse do të ketë ndryshime shtesë në strategjinë kombëtare të vaksinimit.
Edhe pse raporti ka ngjallur shqetësime, ekspertët paralajmërojnë se deri tani nuk ekziston publikim shkencor i rishikuar që konfirmon përfundimisht lidhjen direkte mes vaksinës dhe vdekjeve. Debati mbetet i hapur ndërsa kërkohet më shumë transparencë dhe analizë shkencore./Periskopi/



