New York Times: Në një skaj të Kosovës, ende ka brohoritje për Putinin

New York Times: Në një skaj të Kosovës, ende ka brohoritje për Putinin

Në rrugën kryesore në pjesën veriore të Mitrovicës – matanë një post roje trupash amerikane – një billbord i siguron serbët lokalë se nuk janë të vetëm kundër Perëndimit dhe se ende kanë miq me ndikim: paraqiten fotografi të Presidentit Vladimir V. Putin të Rusisë, Presidentit Aleksandër Vuçiç të Serbisë dhe yllin serb të tenisit, Nocak Gjokoviç, të lartësuar si ‘qyetetarë nderi’ të vendbanimit aty afër të serbëve etnikë, shkruan The New York Times.

Zoti Putin nuk është shfaqur për ta marrë këtë titull nderues, por ai figuron shqueshëm në mendjen e shumë banorëve si shpëtimtar potencial dhe i shumë-shpresuar, më i fundit në vijën e gjatë të rusëve i  cili, sipas përllogaritjeve serbe të së shkuarës, kanë punuar pandalur për ‘vëllazërimin’ sllav ndaj të huajve armiqësor, në veçanti myslimanëve.

Rusia ka luftuar më shumë se një dyzinë luftash me Perandorinë Osmane myslimane, të cilët mposhtën sunduesin serb Ortodoks-Krishter, Princin Llazar, në Betejën e Kosovës më 1389. Ky rikthim antik përbën pjesë të madhe të nacionalizmit serb, duke ushqyer një mërimbajtje të madhe ndaj shumicës së popullatës kryesisht myslimane të Kosovës, ani pse disa shqiptarë kishin luftuar në anën serbe.

Në qendrën e Mitrovicës qëndron një statujë që nderon Princin Llazar dhe Grigori Sherbinën, një emisar rus në rajon i cili u vra në afërsi të qytetit nga një ushtar mysliman në 1903. Një mbishkrim në statujën e emisarit shkruan se: “një pikë e derdhur gjaku e rusëve vëllazëror derdhet në gjak serb që ka qenë duke rrjedhur me shekuj”.

Nuk përmendet që emisari rus ka qenë me origjinë ukrainasi.

Historia, shumica e saj e përgjakshme dhe e dominuar me tregime trimërie luftuese mashkullore, gjenden anembanë Ballkanit, veçanërisht në festimin – ose mohimin – e lidhjeve “vëllazërore” mes Rusisë dhe Serbisë, që të dyja kryesisht kombe të krishterimit ortodoks.

“Kemi histori për së tepërmi dhe për së tepërmi mashkulloritet në Ballkan”, thotë Liljana Drazheviç, e cila drejton një biznes shitje të shalleve prej leshi. Skeptike se zoti Putin ka ofruar shpëtim, ajo thotë se “njerëzit janë të dëshpëruar, por unë s’kam shpresuar kurrë se do të marrim gjë nga Rusia”.

Përveç mbështetjes së Serbisë në Kombe të Bashkuara dhe dhënies peshë diplomatike që Kosova ende i përket Serbisë, Rusia ka dhënë tepër pak se i përket ndonjë ndihme konkrete. Dhe, duke e cituar vazhdimisht intervenimin perëndimor në Kosovë për ta arsyetuar marrjen ruse të Krimesë dhe toka tjera ukraineze, zoti Putin ka gërryer për së poshtmi parrimin e integritetit territorial mbi të cilën Serbia bazon pretendimet e saj ndaj Kosovës.

Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, një shtet i cili shumica e serbëve këmbëngulin se nuk ekziston, vajtoi se zoti Putin është bërë një lloj shenjtori patron për shumicën e serbëve mospajtues: “Për grupe të ekstremistëve, Putin është idhulli i tyre”, ka thënë zoti Kurti në një intervistë në Prishtinë, në kryqytetin e Kosovës.

Shumica e serbëve etnikë, qoftë ata që jetojnë në Serbi apo në enklava në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, Rusinë zgjedhin ta shophin si mike, jo ngase domosdoshmërisht atyre u pëlqen se ku zoti Putin e ka çuar vendin e tij, por për shkak se ndjejnë neveri ndaj Natos. Kjo është në veçanti e theksuar në pjesën veriore të Kosovës, kur fushata bombarduese e Natos që theu mbërthimin serb ndaj Kosovës shihet si burimi përfundimtar i të gjitha problemeve të enklavave.

Zoti Damjanoviç, historiani, tha se më shumë do të parapëlqente të jetojne në “botën e lirë”, e jo në një “botë pa të drejta si Rusia e Putinit”, por, për shkak të Natos, “ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Zgjidhja jonë e vetme mbetet Rusia”.

Para intervenimit të Natos, një dyqanxhi, që nuk dëshiroi të tregojë emrin, tha se rruga e errët dhe me gropa jashtë dyqanit të saj ishte e asfaltuar mirë dhe e ndriçuar mirë. Ajo tha se i vinte keq për ukrainasit e vrarë nga trupat ruse, por pyeti veten pse Perëndimi “nuk qau për ne” gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Të pyetur nga anketuesit vitin e kaluar se kush ishte “mbrojtësi më i mirë i interesave serbe”, më shumë se 65 përqind e banorëve në veri të Kosovës zgjodhën Rusinë dhe vetëm 3 përqind Shtetet e Bashkuara.

Roli i Mitrovicës së Veriut si një kështjellë e ndjenjave pro-ruse ka krijuar një problem për zotin Vuçiç, presidentin serb. Ai ka refuzuar vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për pushtimin dhe për vite me radhë, ai ka nxitur ndjenjën e viktimizimit të serbëve. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai ka punuar për të bindur Perëndimin se nuk është në xhepin e Kremlinit.

Për zotin Vuçiç, një lider që po përpiqet ta fusë vendin e tij në Bashkimin Evropian, rrënjosja e serbëve etnikë për Rusinë në një rajon të Kosovës që është nën gishtin e tij është vështrim i keq.

Zoti Joviç, organizatori i protestës pro-Moskës, u ankua se zyrtarët lokalë besnikë të presidentit serb kontrollonin fort të gjithë aktivitetin politik në rajon dhe e kishin bërë të vështirë shfaqjen e hapur të mbështetjes për Kremlinin.

Zoti Vuçiç, sipas zotit Joviç, nuk dëshiron t’i ndërlikojë përpjekjet e tij tashmë penguese për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. “Perëndimi,” tha z. Jovic, “mendon se kushdo që mbështet Rusinë është fanatik.”

Në disa raste, kjo mund të jetë e vërtetë, por për shumicën e ithtarëve të shumtë të Rusisë në veri të Kosovës, Moska thjesht ofron një strehë nga ndjenjat e izolimit dhe dëshpërimit, nga të cilat ka shumë në këto anë.

Të kujdesshëm për t’u cilësuar si ekstremistë dhe për të prishur aktin balancues të zotit Vuçiç midis Lindjes dhe Perëndimit, zyrtarët serbë etnikë në veri të Kosovës ofrojnë vetëm mbështetje të heshtur për Rusinë dhe mohojnë të kërkojnë mbështetje nga Moska. “Rusia ka simpati këtu, por ne nuk po kërkojmë ndihmë prej saj,” tha Igor Simiç, nënkryetari i partisë kryesore politike që përfaqëson serbët në Kosovë.

Edhe zoti Damjanoviç, historiani anti-NATO, pranoi se Rusia shpesh i kishte zhgënjyer. Një shembull ishte në qershor 1999, tha ai, kur Moska dërgoi trupa në Kosovë vetëm disa orë para se të vinin forcat e NATO-s. Përkundër një pritjeje në ekstazë nga serbët etnikë që valëvitnin flamujt rusë, forcat ruse nuk bënë asgjë për të parandaluar shumicën e popullsisë shqiptare etnike që të hakmerrej me dhunë pas largimit të policisë dhe ushtrisë serbe. Trupat e NATO-s, gjithashtu, kryesisht qëndruan mënjanë.

Por kjo, vuri në dukje z. Damjanoviç, ishte kur Boris N. Jelcin ishte në krye të Kremlinit. “Tani është Putin. Sa më e fortë të jetë Rusia, aq më mirë është për serbët”, tha ai. “Unë nuk njoh askënd në Kosovë që po mbështet Ukrainën,” shtoi ai, duke anashkaluar mbështetjen pothuajse universale për Ukrainën në mesin e shqiptarëve etnikë.

Fakti që kaq shumë shqiptarë etnikë në Kosovë po brohorasin për Ukrainën, mjafton që shumë serbë etnikë të bëjnë të kundërtën.

Shqiptarët etnikë “mbështesin plotësisht Ukrainën pa asnjë arsye të vërtetë, kështu që ne të gjithë mbështesim Rusinë”, tha Milan Dobriç, një artist i ri serb në Mitrovicën veriore. “Unë nuk po them se Putini ka të drejtë të vrasë ukrainasit, por Rusia ka arsyet e saj dhe unë jam plotësisht kundër NATO-s.

Milos Milovanoviç, një studiues që punon në një organizatë joqeveritare në Mitrovicë dhe që është një kritik i rrallë serb etnik i Moskës, tha: “Unë personalisht ndjej zero simpati për Rusinë” në Ukrainë. Si rezultat, ai vuri në dukje, “Unë jam gjithmonë duke debatuar me miqtë e mi”.

Vështirë se dikush në Kosovë, shtoi ai, ka menduar shumë për luftën në Ukrainë, por pothuajse të gjithë kanë marrë anë “në një nivel emocional” në varësi të përkatësisë së tyre etnike.

“Fatkeqësisht,” vuri në dukje z. Milovanovic, “emocioni dhe racionaliteti nuk shkojnë së bashku”.

Shpërndaje në: