“Nezir Kraki Mimoza Kusari, Mefi ….”, 67 deputetë aplikuan për pagë kalimtare deri sa të bëhet Kuvendi i ri
Edhe pse gjatë legjislaturës së nëntë nuk u realizua asnjë punë legjislative dhe ajo rezultoi njëkohësisht si joproduktive dhe jetëshkurtër, 67 deputetë kanë kërkuar pagën kalimtare pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Hera e fundit kur u kryen punë legjislative në Kuvend është më 5 dhjetor 2024. Pas kësaj, deputetët u panë vetëm në seancën konstituive maratonike për zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë dhe në dy të tjerat për formimin e Qeverisë – e cila nuk u formua. Përveç këtyre, vetëm një herë u mblodhën deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe një deputet i PDK-së në një seancë të jashtëzakonshme lidhur me Buxhetin 2026, Planin e Rritjes dhe çështje të tjera urgjente – e cila poashtu dështoi.
Kuvendi pa Qeveri të re nuk pati as komisione parlamentare, ku normalisht duhet të kryhet puna më e madhe e deputetëve.
Ekzekutivi vazhdoi vetëm me punë të nisura sa ishte në mandat të plotë. E pak para dhjetorit, edhe institucioni i vetëm i konstituar – Kuvendi i Kosovës – u shpërnda, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ligjërisht, me përfundimin e mandatit, deputetëve të cilët nuk kanë të hyra të tjera u takon paga kalimtare për një periudhë deri në 12 muaj.
Një gjë e tillë rregullohet përmes Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, që përcakton se paga kalimtare u takon ligjvënësve deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit.
Siç nuk u takon atyre që kanë të hyra të tjera, paga kalimtare nuk u takon as atyre që rizgjidhen deputet.
Paga bazë e deputetit është mbi 1800 euro.
KALLXO.com përmes qasjes në dokumente publike në Kuvendin e Kosovës, ka marrë vesh se 67 deputetë kanë kërkuar të shfrytëzojnë të drejtën e përfitimit të pagës kalimtare, transmeton Periskopi.
Afati për kompensimin kalimtar të deputetëve të legjislaturës së nëntë ka nisur të rrjedhë nga 21 nëntor 2025 dhe Kuvendi bëri të ditur se janë kryer procedurat për kërkesën për pagë kalimtare për legjislaturën e nëntë.
Nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, pagë kalimtare kanë kërkuar 27 deputetë nga 48 sosh sa kanë qenë gjithsej në Kuvend.
Ata janë: Adelina Grainca, Arbër Rexhaj, Adriana Matoshi, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arijeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Armend Muja, Artan Abrashi, Avni Dehari, Bajram Mavriqi, Driton Hyseni, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Fitore Pacolli- Dalipi, Fjolla Ujkani, Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, Jeta Statovci, Labinotë Demi- Murtezi, Mefail Bajçinovci, Mimoza Kusari-Lila, Nezir Kraki, Salih Zyba, Saranda Bogujevci, Shqipe Mehmeti- Selimi, Valon Hoti, Drita Pajaziti dhe Valon Ramadani.
Nga 24 deptutetët Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pagë kalimtare kanë kërkuar 14 prej tyre përfshirë edhe ish-kryetarin e partisë Memli Krasniqi. Kurse të tjerët janë: Abelard Tahiri, Altin Krasniqi, Arbnore Salihu, Ariana Musliu-Shoshi, Eliza Hoxha, Artan Behrami, Elmi Reçica, Ganimete Musliu, Kosovare Murseli, Nait Hasani, Rashit Qalaj, Rrahman Rama dhe Sala Jashari.
Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nga 20 deputetë gjithsej, pagë kalimtare kanë kërkuar 13 sosh. Ata janë: Alban Zogaj, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica- Xhelili, Hykmete Bajrami, Hysen Çekaj, Jehona Lushaku -Sadriu, Krenar Xhaferi, Lutfi Haziri dhe Paris Guri.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që pati gjithsej pesë deputetë, pagë kalimtare kanë kërkuar katër prej tyre: Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Daut Haradinaj dhe Lahi Brahimaj. Pra, pagë kalimtare nuk ka kërkuar vetëm kryetari Ramush Haradinaj. Kurse nga Nisma Socialdemokrate që pati tre deputetë në Kuvend, pagë kalimtare ka kërkuar vetëm Arbëresha Krasniqi, por jo edhe kryetari Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku.
Nga Lista Serbe (LS) që gjithsej ka pasur nëntë deputetë në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar vetëm njëri dhe ai është Branislav Nikoliq.
Nga komunitetet jo-shumicë joserbe, nga 10 që janë gjithsej, pagë kalimtare kanë kërkuar shtatë prej tyre: Adem Hodza, Albert Kinolli, Artan Asllani, Fidan Jilta, Rasim Demiri, Duda Balje dhe Veton Berisha.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka mandat 4-vjeçar nga dita e seancës konstituive. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë.
Pas përmbylljes së këtij mandati, i vetmi organ që e ruan vijimësinë e punës së Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re është Kryesia e Kuvendit.
Me përfundimin e mandatit kushtetues të Kuvendit ka përfunduar edhe mandati i rregullt i Qeverisë. Nga 23 marsi, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është me kompetenca të kufizuara. Kurti vazhdon ta cilësoi udhëheqjen e tij në ekzekutiv si “Qeveria Kurti 2.5”.
Presidentja Vjosa Osmani, para shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, më 28 dhjetor, tha se gjatë takimit me krerët e partive politike një ditë pasi dështoi formimi i Qeverisë Konjufca, edhe njëherë është munduar t’i bind që të formohen komisionet parlamentare e të mbahet një seancë në të cilën do të kaloheshin këto çështje – por sipas saj, nuk pati dakordim mes tyre.
Kosova këtë vit u përball me disa procese zgjedhore – zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet lokale me balotazh dhe tani zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Parlamentaret më 9 shkurt, zgjedhjet lokale më 13 tetor, balotazhin më 9 nëntor, dhe tani zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë marrë pjesë 966,283 votues apo 46.54 %. Se sa do të jetë dalja në fund dhjetor dhe se a do të ndërrojnë përqindjet, pritet të shihet.



