Nga burgjet e regjimit serb në odat shqiptare, rrëfimi i fuqishëm i Havë Shalës për pajtimin e gjaqeve

Nga burgjet e regjimit serb në odat shqiptare, rrëfimi i fuqishëm i Havë Shalës për pajtimin e gjaqeve

Havë Shala, një nga nismëtaret e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, e kujton veprimtarinë e saj nga vuajtjet e në burgje si një e re që luftonte për liri kundër regjimit serb, te ideja e më pas Lëvizja për të ndalur hakmarrjen midis shqiptarëve.

Qelia e vogël e burgut, me dritën e fortë të llambës që ende i shkakton dhimbje koke, për Havë Shalën u bë vendi ku lindi një ide – e thënë por e pashkruar – që pak vite më vonë, krejt rastësisht u shndërrua në një lëvizje popullore që ndryshoi rrjedhën e realitetit shqiptar të vitit 1990.

Për të, atëkohë 17-vjeçare e pabindur ndaj pushtetit shtypës serb nën ish-Jugosllavi, burgu i viteve 1994-1998 ka qenë njëkohësisht shkatërrues por edhe nxitës. Prapa grilave iu përforcuan bindjet për t’u rebeluar ndaj shtypjes që u bëhej shqiptarëve nga regjimi, ndërsa brenda saj lindi një forcë për të ndalur vëllavrasjet.

Gjakmarrja nuk është e drejtë në asnjë kohë, por di të bëhet veçanërisht tejet e dëmshme kur armiku i vërtetë përpiqet ta përdorë atë si alibi për të fshehur krimet e veta, është e bindur Hava Shala me prejardhje nga Lugu i Baranit të Pejës, ish-studente e Letërsisë Shqipe, e njohur mirë me konceptin e marrjes së hakut.

“Akile [shoqes së saj të burgut Akile Dedinca] i them: “Populli është në lëvizje po e shohim, po e ndiejmë, shihej, ishte emocionale… Kur lëviz populli mund të bëjë gjëra të mëdha. Dhe, ishte momenti që të bëhet diçka e madhe në këtë drejtim. Një gjë e madhe ishte heqja e gjakmarrjes. Dhe, menduam të shkruajmë një letër të cilën do ua dërgonim shokëve dhe shoqeve tona që ishin jashtë me shpresën që mund të bëhej diçka në këtë drejtim”. Këtë letër, siç tregoi Hava Shala në emisionin “Kallxo Përnime” nuk kishin arritur ta dërgojnë për shkak të kontrolleve të rrepta brenda burgut.

Ajo ishte arrestuar në vitin 1984 si 18-vjeçare së bashku me gjashtë vajza dhe dy djem të tjerë, për rastin që njihet “Grupi i Vajzave të Pejës” për shkak të shkrimit të letrave politike dhe leximit të librave dhe revistave të ndaluara atëkohë.

Një pjesë të burgut e kishte kaluar në atë të Lipjanit, e një pjesë në Mitrovicë.

U lirua nga burgu në vitin 1988. Pas daljes nga burgu, ajo iu bashkua Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.

Më 1 maj të vitit 1990 ishte organizuar një nga tubimet kryesore për pajtimin e gjaqeve, i njohur si tubimi i “Verrave të Llukës”, dhe Shala ishte një nga nismëtaret që mbajti fjalim para të pranishmëve. Ajo bashkë me shoqet e shokët e burgut ishin përkrah me veprimtarët Anton Çetta e Zekeria Cana në pajtimin e gjaqeve.

Shpërndaje në: