Nga lexim i parë në votim final: Si u miratua Buxheti 2026 brenda javës?
Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Republikës së Kosovës përmbylli një nga proceset më të rëndësishme financiare të vitit, duke miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2026, në vlerë prej rreth 4 miliardë eurosh, pas shqyrtimit në dy lexime të ndara.
16 shkurt: Miratimi në lexim të parë
Të hënën, më 16 shkurt, nën drejtimin e kryetares Albulena Haxhiu, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë projektligjin për ndarjet buxhetore. Para votimit, deputetët vendosën me shumicë votash për shmangie nga afatet procedurale, duke e konsideruar situatën si emergjente për funksionimin e institucioneve, raporton lajmi.net, transmeton Periskopi.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, paraqiti projektbuxhetin duke theksuar se kufiri i shpenzimeve arrin afro 4 miliardë euro. Sipas tij, struktura e shpenzimeve përfshin rreth 980 milionë euro për paga dhe shtesa, 545 milionë për mallra dhe shërbime, 1.358 miliardë për subvencione dhe transfere, si dhe 998.4 milionë euro për investime kapitale, ndërsa të hyrat buxhetore parashihen 3.64 miliardë euro.
Gjatë debatit parlamentar pati përplasje mes pushtetit dhe opozitës lidhur me urgjencën e procedimit dhe përmbajtjen e buxhetit. Në fund, projektligji kaloi në lexim të parë me 66 vota për, 32 kundër dhe 5 abstenime.
20 shkurt: Votimi përfundimtar dhe përplasjet për amendamente
Të premten, më 20 shkurt, Kuvendi e shqyrtoi projektligjin në lexim të dytë. Kryetari i Komisionit për Buxhet paraqiti raportin me amendamentet e komisionit, ndërsa grupet parlamentare shpalosën qëndrimet e tyre përfundimtare.
Lëvizja Vetëvendosje mbështeti projektligjin bashkë me amendamentet e komisionit, ndërsa PDK dhe LDK kundërshtuan pasi amendamentet e tyre nuk morën mbështetje. Edhe AAK paralajmëroi se nuk do ta votojë buxhetin në mungesë të përfshirjes së propozimeve të saj.
Ministri Murati e cilësoi dokumentin si “buxhet të përkohshëm emergjent”, duke theksuar se ai synon të sigurojë funksionimin normal të shtetit deri në fazën e rishikimit buxhetor, kur pritet të adresohen kërkesa dhe prioritete të tjera.
Në përfundim, projektligji u miratua me 62 vota për dhe 36 kundër, pa asnjë abstenim, duke e bërë zyrtar Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Kryetarja Haxhiu e cilësoi miratimin si përmbushje të një prej detyrave më të rëndësishme ndaj qytetarëve, ndërsa opozita paralajmëroi debat të vazhdueshëm për rishikimin e tij në muajt në vijim./Periskopi/



