Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për falsifikimin e mbi 25 mijë eurove

Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për falsifikimin e mbi 25 mijë eurove

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), të pandehurve R.P dhe E.R, nën dyshimin për “Falsifikim të parasë”.

Në njoftim, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake masën e paraburgimi të dyshuarve ua caktoi në harmoni me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, andaj nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të paarritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tyre dhe kjo do të vështirësonte përfundimin me sukses të kësaj procedure.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se nëse të pandehurit do të jenë në liri, mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar edhe tek dëshmitarët e rastit.

Në njoftim thuhet se të dyshuarve, paratë i ishin gjetur gjatë kontrollit në veturë, e të cilat para ishin me ngjyrë të gjelbër.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 16.04.2024, rreth orës 23:15 minuta, në rrugën “Panairi”, fshati Shkabaj, në Prishtinë, të pandehurit R.P dhe E.R në bashkëveprim kanë poseduar monedha të ngjyrosura të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, në atë mënyrë që Policia gjatë pikës së kontrollit ka ndaluar automjetin e tipit mercedes, ashtu që pas kontrollimit të automjetit janë gjetur një shumë e parave me ngjyrë të gjelbër të cilat janë të falsifikuara, ku pas verifikimit të tyre ka rezultuar se shuma e parave ishte si në vijim: 195 kartëmonedha të llojit 100 euro, gjithsejtë 19.500.00 euro, 116 kartëmonedha të llojit 50 euro, gjithsejtë 5.800.00 euro dhe 7 monedha metalike të llojit dy hero, gjithsej 14 euro, shuma totale e të gjitha parave që dyshohet se janë falsifikuara është njëzet e pesëmijë e treqind e katërmbëdhjetë (25.314.00)”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se Policia përmes vërtetimit për sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, të njëjtat i kanë sekuestruar.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: